E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja në Tiranë; Kontraktohet firmë e huaj për monitorimin e ajrit

Në kryeqytet janë përcaktuar 35 zona, në të cilat do të monitorohet përqendrimi i NO2 (dioksidit të azotit). Si një nga derivatet e shkarkimeve në ajër të trafikut të makinave, matja e këtij elementi do të shërbejë edhe për hartëzimin e vendndodhjes në gjithë qytetin e Tiranës. Monitorimi do të kryhet nga ECAT Tirana, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit të Venetos (ARPAV), Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Pyjeve.

Monitorimi

Tubat difuzive radiello për përcaktimin e përqendrimit të NO2, si dhe të BTX-eve (benzen, toluen, ksilen etj.), u instaluan në këto 35 pika dhe u ekspozuan për një periudhë 10 ditore. Tubat difuzive u vendosën dhe në vendet, ku janë instaluar stacionet automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit.

"Qëllimi i kësaj fushate është të ndërmerret një vlerësim i përqendrimit të dioksidit të azotit (një nga derivatet e shkarkimeve në ajër të trafikut te makinave), si dhe hartëzimi i përqendrimeve të NO2 në gjithë qytetin e Tiranës, si një bazë e rëndësishme për vendimmarrësit në menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe si një mjet i domosdoshëm për t'u përdorur në vlerësimin e efekteve të ndotjes së ajrit në shëndetin publik, si dhe të përfitimeve potenciale të veprimeve që duhet të ndërmerren për të ulur ndotjen e ajrit", - thanë burime nga REC.

Sipas REC, në këtë mënyrë u lokalizuan vendndodhjet, të orientuara nga trafiku i automjeteve; vende me trafik të dendur, vende me trafik mesatar dhe me trafik të ulët. Gjithashtu, u vendosën tuba difuzive dhe në zonën e gjelbër të qytetit të Tiranës (Parku i Tiranës), duke pasur në këtë mënyrë një përfaqësim të plotë të realitetit urban, përse i përket ndotjes së ajrit të shkaktuar nga trafiku i automjeteve.

Ekspertët

REC bëri të ditur se grupi i punës, i përbërë nga ekspertë të Agjencisë Rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit të Rajonit të Venetos (Itali), ekspertë lokalë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe e Pyjeve, nga ECAT Tirana dhe nga Instituti i Mjedisit dhe Energjisë, përcaktuan rreth 35 pika, ku u vendosën kampionatorët e tubave pasive, duke përdorur metodën e përzgjedhjes rastësore.

Sipas REC, ndër objektivat kryesore të fushatës së monitorimit të NO2 me tuba pasivë të tipit radiello, ishin trajnimi i stafit lokal dhe i studentëve me teknikat e monitorimit, trajnimi i stafit lokal me procedurat e dorëzimit të tubave difuzive dhe analizës së tyre laboratorike, si dhe vlerësimi i kontrollit të cilësisë së të dhënave të marra nga tubat difuzive. Gjithashtu, objektiva të fushatës ishin përdorimi i të dhënave të marra nga fushata për kalibrimin dhe miratimin e modelimit të NO2, si dhe ndërgjegjësimi i publikut për ndikimet e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga trafiku në shëndet dhe mjedis.

Bishti i Pallës

Thellohet bazeni, gati ankorimi i anijeve ushtarake

Së shpejti anijet luftarake do të mund të ankorohen në Bazën Detare të Bishtit të Pallës, pasi baseni i saj ka nisur të thellohet. Qysh prej 10 vjet, ajo bazë ka qenë e braktisur, pasi kuota e thellësisë së saj është shumë e ulët dhe është e pamundur ankorimi në portin ushtarak. Një dragë që dikur përdorej për thellimin e liqeneve dhe të rezervarëve të vendit tonë ka nisur gërmimet në këtë bazë prej disa ditësh, me synim kthimin e saj në identitet.

Mjeti gërmues kishte 10 vjet, që ishte dërguar në Itali për riparim dhe pas një periudhe kaq të gjatë kohe është mundësuar vënia e tij në gjendje pune nga ana e specialistëve fqinjë. Ekspertët e NATO-s kanë kohë që i kanë kërkuar qeverisë shqiptare, ruajtjen e Bazës Detare të Bishtit të Pallës dhe mostjetërsimin e saj. Ata gjithashtu kanë kërkuar ringjalljen e kësaj baze. Baseni i bazës kishte nisur të dekompozohej që nga fillimi i vitit 1990, pasi nuk u pastrua asnjëherë nga dekompozimi i llumrave të lumenjve, të cilat derdhen në det e një pjesë e të cilëve përfundon në tabanin e bazës. Nga 5-6 metra që ishte thellësia e basenit në kohën më të mirë të saj arriti në 1.5 m, duke e bërë të pamundur ankorimin e anijeve dhe të motovedetave dhe duke e nxjerrë kështu bazën jashtë aftësive të saj. Anijet që disponte flota jonë kanë vite që qëndrojnë të strehuara në portin e Durrësit. Andej nga fillimi i viteve ’90 qeveria kishte kaluar në inventarin e Flotës Luftarake Detare, një dragë e cila përdorej për thellimin e baseneve të liqeneve dhe të rezervarëve. Ajo u dorëzua e dëmtuar që në atë kohë. Pas trazirave të vitit 1997 ky mjet u dërgua në Itali në Portin e Brindisit me qëllim riparimin e saj dhe pas 10 vjetësh specialistët italianë arritën ta riparonin e ta vinin në gjendje pune. Tashmë mjeti ka disa kohë që është rikthyer dhe është vënë në punë për thellimin e bazës detare të Durrësit. Brenda një periudhe të shkurtër kohe thellësia e basenit nga 1.7 metra ka arritur në 3 metra. Një kuotë e tillë bën të mundur ankorimin pa asnjë lloj problemi të motovedetave në përbërje të flotës sonë detare. Puna po vazhdon për rritjen e kuotës së thellësisë së basenit, në mënyrë që edhe anijet e tjera, ku bën pjesë edhe më e reja “Iliria” e blerë në Holandë, të mund të strehohen brenda në bazë. Në vitin 2009, flota do të rritet edhe me 3 anije të tjera të përmasave të “Ilirisë”, 52 m të gjata, të cilat do të ankorohen pikërisht në bazën e Bishtit të Pallës. Dikur u mendua që destinacioni i bazës të ndryshohej dhe ajo të kthehej në port peshkimi. Më pas u tentua që një pjesë e territorit të përdorej për kompensimin e ish-pronarëve të Durrësit. Por që të dyja këto propozime gjetën reagimin negativ të ekspertëve të NATO-s, pasi për ta baza duhet të ringjallet.

Artur Ajazi

SHSH

Në zbatim standardet e reja për përkujdesjen e fëmijëve

Institucionet e përkujdesit të fëmijëve, veç përmirësimit të infrastrukturës së tyre, këtë vit i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë marrjes së masave për zbatimin e standardeve lidhur me procedurat e birësimit dhe marrjes së kujdestarisë ligjore të fëmijëve. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) vlerëson se institucionet e përkujdesit për fëmijë në politikat e tyre e kanë vënë theksin në respektimin e të drejtave të fëmijëve, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe integrimin e tyre në jetën sociale. Këto institucione, në bashkëpunim me UNICEF-in, kanë hartuar në mënyrë të unifikuar modulet dhe formularët e vlerësimit të nevojave sociale, edukuese, shëndetësore të fëmijëve sipas grupmoshave dhe treguesve të çdo standardi dhe është bërë shpërndarja e tyre në gjithë rrjetin e institucioneve rezidenciale të fëmijëve për zbatim. Sipas SHSSH-së, edhe udhëzimi i dalë nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta mbi procedurat e pranimit të klientëve në institucionet publike dhe jopublike, në lidhje me kujdestarinë ligjore, është në zbatim për të gjithë institucionet. Për zbatimin e tij janë realizuar takime me përfaqësuesit e të gjithë institucioneve mbi trajtimin e problemeve të dala gjatë zbatimit, dhe plotësimin me të dhënat e duhura të data-base-t e institucioneve të përkujdesit. Aktualisht 50 % e institucioneve kanë filluar procedurat ligjore të marrjes së kujdestarisë së fëmijëve me vendim gjykate. SHSSH thekson se gjatë këtij viti, për herë të parë është realizuar dhe Regjistri Kombëtar me të dhëna mbi klientët në institucionet publike dhe jopublike për fëmijë. Në 55 institucionet ditore të përkujdesit trajtohen rreth 586 fëmijë, nga të cilët 285 fëmijë në institucione publike (53 ditore), dhe 354 në OJF-të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›