E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta zbret në 49. 6 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës në bursa po pëson çdo ditë rënie drastike. Në tregjet financiare ndërkombëtare, ari i zi është kuotuar dje me 49.6 dollarë për fuçi. Ky është edhe niveli më i ulët i shënuar në dy vitet e fundit. Që prej fundit të muajit korrik, kur ari i zi shënoi në bursa rekordin historik të 145 dollarëve për fuçi, çmimi ka rënë me më shumë se 95 dollarë. Ekspertët shpjegojnë se pikiata e naftës, vërejtur veçanërisht ditët e fundit, është shkaktuar nga frika e ngadalësimit të ekonomisë botërore, e cila do të shoqërohej me një pakësim të kërkesës globale për arin e zi. Rënia drastike e kuotave të naftës në tregjet financiare ndërkombëtare do të jetë në qendër të diskutimeve në mbledhjen e ardhshme të OPEC-ut që pritet të zhvillohet në fund të këtij muajit. Vendet prodhuese pritet të reduktojnë më tej prodhimin ditor, në përpjekje për të frenuar rënien e mëtejshme të çmimit. Sipas tyre, nafta duhet të luhatet në bursa në kufijtë 80-90 dollarë për fuçi.

Por rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk është reflektuar në vendin tonë. Në distributorët e shitjes me pakicë, nafta e cilësisë së dobët ose ndryshe d2, shitet me 128 lekë për litër, eurodizeli me 137 lekë për litër, ndërsa benzina ka arritur në 133 lekë për litër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›