E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatet tona në duart e Edi Ramës? Zot na ruaj!

30-07-2012 / Nga Sejdi Peka

Në emisionin e Vizion Plus të dt.27 Korrik me gazetarin A. Peza, Edi Rama ashtu si gjithnjë edhe një herë tjetër u shfaq me të gjithë megalomaninë e tij të një njeriu mediokër. Ai deklaroi se në takimin e fundit për “konsensusin” e presidentit i paska thënë Berishës “në 2013 unë do të bëhem Kryeministër i Shqipërisë”. Dhe sipas tij, e thënë e mbaruar, petullat bëhen me ujë, si gomari që po e hante ujku dhe mendonte se ishte në ëndërr. Me një pamje fodulle, me plot sarkazëm, Edi Rama u përpoq të hidhej dhe përdridhej me qëllim për të argumentuar të ashtuquajturën “politikë të re” që po ndjek Partia Socialiste. Por që në fakt nuk tha asgjë. Duke kundërshtuar taksën e sheshtë që ka aplikuar qeveria “Berisha”, ai ra me të katër këmbët në batakun enverist nga i cili nuk ka shanse që të dalë. Projekti i Partisë Socialiste - deklaroi Rama - është gjithësecili sipas mundësive dhe gjithkush do të marrë atë që i takon. Për analogji, edhe ideologët marksistë-leninistë predikonin se komunizmi do të ishte formacioni më i lartë i shoqërisë njerëzore. Në socializëm, kush punon ha. Ndërkohë sipas tyre në komunizëm, “secili sipas mundësive dhe secilit sipas nevojës”. E përkthyer më saktë, në komunizëm do të arrihej ajo që secili do të punojë sipas mundësive por do të marrë aq sa ka nevojë. Kjo ishte utopia komuniste që mashtroi aq sa mundi, por botës mbarë i shkaktoi vuajtje të panumërta, mjerim, varfëri dhe qindra miliona viktima të pafajshme. Dhe përsëri gjatë emisionit, Edi Rama në apologjinë e tij u përpoq të provonte se Partia Socialiste interesin e popullit e vendos mbi atë personal, përsëri sipas ideologjisë marksiste “të interesit të përgjithshëm mbi atë personal”. 

Çdo ditë që kalon, mbarë opinioni shqiptar dhe ndërkombëtar po kupton më tepër se Edi Rama është një mashtrues ordiner, asgjë tjetër vetëm se një karrierist i dështuar dhe i sëmurë për pushtet. Sistemi demokratik të cilin me shumë sakrifica të panumërta e kemi zgjedhur, konsiston në pluralizmin politik. Në vendet demokratike, opozita zë një vend të rëndësishëm në kontributin e saj për të mirën e vendit, si mundet të qeveriset më mirë, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme populli të bëjë zgjedhjen e tij me votën e lirë. Gjatë kohës në opozitë ajo merr pjesë me alternativat e saj në jetën politike dhe shoqërore, në vendimmarrjet politike që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e interesave kombëtare. Në të gjitha rastet opozita është një faktor i rëndësishëm, një vlerë e padiskutueshme që korrigjon të metat e mazhorancës në qeverisje. Dhe populli gjykon.

Pikërisht në këtë kontekst, Edi Rama gabon shumë rëndë. Nuk duhet të jetë problemi se cila forcë politike do të marrë pushtetin. Në vendet me demokraci të konsoliduar, shumë herë Presidenti i atij vendi bie në siklet se shumë personalitete nuk pranojnë të marrin përsipër formimin e qeverisë, të bëhen kryeministra. Kjo nuk është vetëm modesti, por është vlerësim i rëndësishëm i përgjegjësisë që kanë përpara popullit këto personalitete në kryerjen e detyrës. E kundërta ndodh me Ramën. Në vizionin e tij mediokër ai kërkon vetëm pushtetin me çdo kusht. Ndërkohë nuk ekziston ndjenja e përgjegjësisë përpara qytetarëve të këtij vendi të vuajtur shumë nga një e kaluar jo fort e largët e regjimit komunist. Në këtë kontekst bën të paditurin. Kur e pyetën shqiptarët e Amerikës se “a ishte në dijeni se i Ati, Kristaqi, me firmën e tij kishte varur në litar në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988 poetin Havzi Nela”, ai bëri të paditurin. Babai im ka qenë artist, u përgjigj Edi Rama. - Por të jesh artist nuk përjashtohet mundësia që të jesh edhe kriminel - i thanë në Amerikë dhe Rama iku ashtu me bishtin ndër shalë. Është i pabesueshëm se bën lojën e strucit duke menduar se të tjerët nuk kanë sy të shikojnë dhe as veshë të dëgjojnë. Vallë a ndjen pak pendesë, a ndjen pak dhimbje, për një djalë të ri që jeta iu këput me litar në grykë nga një tufë mizorësh, një tufë inkuizitorësh, për një artist që duket se Rama krekoset të jetë i tillë me disa paçavure-piktura; a ndjen në ndërgjegjen e tij një përgjegjësi se i Ati ishte një kriminel dhe se ai është në të vërtetë një bir krimineli. Si është e mundur që asnjëherë nuk mundi të kërkojë falje publike, qoftë edhe si i biri i një krimineli.

Edi Rama gabon rëndë në politikën e tij qorre se gjoja duke penguar Shqipërinë në rrugën e vështirë të demokracisë do të fitojë kredite me sloganin “fajet i ka Saliu”, e prej nga do të vijë posti i kryeministrit. Edhe në këtë pikëpamje, loja e strucit nuk funksionon. Në qoftë se i sëmuri psiqik i PS mendon se kaq lehtë do të gënjejë BE dhe Amerikën, atëherë kuptohet se po kalon shkallët e tjera të një sëmundjeje të rëndë psiqike. Shqiptarët e dinë mirëfilli se kush po i pengon proceset demokratike ne Shqipëri. -Një fabul që vjen që nga koha e Ezopit të lashtë, bën fjalë për një qymyrxhi i cili jetonte fare afër me një larës pëlhurash. Një ditë qymyrxhiu na i thotë larësit të pëlhurave se a mundet të jetojmë në një banesë, në mënyrë që të kursejmë pak të ardhurat. Larësi i pëlhurave pasi u mendua, iu përgjigj: “Është krejt e pa mundur, pasi çdo gjë që laj unë, do e nxini ju si qymyrxhinj”.-Edi Rama në të gjithë kohën e tij si Kryetar i opozitës ka qenë një qymyrxhi që asgjë tjetër nuk ka bërë vetëm duke nxirë të gjitha përpjekjet e Shqipërisë, të gjitha reformat e qeverisë “Berisha” për t’ju bashkuar Europës Demokratike. Nuk kanë munguar t’i bashkohen aksionit të tij antikombëtar edhe të bijtë e ish-bllokmenëve të diktaturës komuniste që me aq kujdes i ka zgjedhur dhe seleksionuar për t’i vendosur në elitën e Partisë Socialiste. Çdo reformë që është e lidhur me prioritetet e kërkesave të BE që Shqipëria në vjeshtë të marrë statusin e vendit kandidat, do të kundërshtohet dhe sabotohet nga Edi Rama. E tillë është edhe ndërmarrja e tij duke kundërshtuar edhe orvatjet e faktorit ndërkombëtarë për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke zvarritur këtë projektligj - që është vendimtar në luftën kundër korrupsionit - saboton ditën për diell përpjekjet që Shqipëria t’i bashkohet sa më parë familjes europiane. Me këto veprime, i sëmuri psiqik i PS mendon se do të fitojë kredite duke u bërë larg qoftë kryeministër i vendit. Po të shikojmë të gjithë itinerarin e politikës së Edi Ramës që nga viti 2005 që është në krye të opozitës në Shqipëri, është një politikë qorre, e dështuar që koha e ka provuar. Bojkotet në Parlament, qindra e mijëra demonstrata të dhunshme dhe të kundraligjshme, kanë patur një qëllim të mbrapshtë dhe kundër demokracisë; marrjen e pushtetit me çdo kusht qoftë edhe me revolucion të tipit bolshevik. Nuk kam merakun se ku e ka katandisur Partinë Socialiste Edi Rama, por si qytetar i këtij vendi, jam i shqetësuar se këtyre orvatjeve arbitrare të një njeriu ordiner, haraçin po e paguajmë ne të gjithë, mbarë kombi ynë. Është koha e fundit që socialistët që militojnë në këtë parti, të gjithë ata që aspirojnë për një Shqipëri Europiane, t’i tregojnë këtij batakçiu të çmendur vendin që meriton, një piktor që di vetëm të bëjë shkarravina në të ashtuquajturat “piktura” dhe se ardhja e tij në krye të PS ishte një aksident dhe fatkeqësi për këtë forcë politike por edhe për Shqipërinë. Prandaj edhe themi, “Edi Rama Kryeministër i Shqipërisë? Zot na ruaj!”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›