Ndre Mjeda me veprën e tij në studimin e Mentor Qukut
>Këto ditë në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi, u bë promovimi i librit Mjeda 3-Liria, vëllimi i dytë i studiuesit Mentor Quku. Ky aktivitet u organizua nga vetë biblioteka e universitetit më të madh në veri të Shqipërisë. Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i kësaj biblioteke Amir Ballaj, i cili përshëndeti të pranishmit. Me pas Arjeta Ferlushkaj, bibliotekare e këtij institucioni referoi mbi jetën dhe veprimtarinë e studiuesit Quku shoqëruar edhe me një ekspozite fotografike video-projektor.
Ndër të tjera, Ferlushkaj u ndal më së shumti në lidhjen e veçantë që është krijuar mes studiuesit Quku dhe rilindësit Ndre Mjeda në konceptin e studimit të veprës së poetit dhe personalitetit të madh shkodran të fillim shekullit të njëzet. Ndërkaq të ftuarit patën mundësi të ndiqnin disa intervista filmike, përkatësisht nga studiuesi Vili Kamsi dhe Jusuf Shpuza, nga shkrimtari Fadil Kraja dhe aktori i teatrit Migjeni Gjovalin Gjoni. Përveç vlerësimit të kontributit që po jep ky studiues për kulturën shqiptare, ata i përcollën edhe urimet e rastit për 70-vjetorin e tij të lindjes. Nga auditori i mbushur me intelektualë të fushave të ndryshme, të njohur në Shkodër e me gjerë, morën fjalën shkrimtari Skënder Temali dhe etnologu Gëzim Uruçi, pedagogia e letërsisë në Universitetin e Shkodrës Fatbardha Hoxha, kryetari i shoqatës Artclub Ulqin Nail Draga etj. Në fund iu dha fjala autorit, i cili ishte mjaft i ngarkuar me emocione nga salla e mbushur plot. Mentor Quku u shpreh se ndihej borxhli ndaj atyre që e nderuan sot dhe ndaj gjithë atyre që e ndihmuan në me shumë se 30 vjet hulumtime mbi Ndre Mjedën. Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur. Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".Aktiviteti zgjati më shumë se një orë nën një atmosfere të ngrohtë e miqësore. Mbyllja u bë nën urime dhe përgëzime për njeriun e pa lodhur dhe studiuesin Mentor Quku.