E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndrea Prendi: Qëlluam me fishekë luftarakë pasi mbaruan ato të manovrës. Po më trajtojnë si kreun e ndonjë bande

Share

Gjykata e Tiranës e nisi seancën gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e 21 janarit 2011, duke rrëzuar fillimisht pretendimin e avokatëve mbrojtës se akt- ekspertimet nuk duhet të merren parasysh, pasi ato janë kryer një ditë para se prokuroria të marrë vendim për këtë çështje. Por gjykata nuk e ka marrë parasysh. Prokuroria ka lexuar kërkesën për gjykim, duke thënë se ish- komandanti i Gardës, Ndrea Prendi akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt. Ndërkohë për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit nën akuzë është gardisti Agim Llupo.

Në seancë Ndrea Prendi tha se është i pafajshëm. Ai akuzoi prokurorinë se po sillet me harbutëri pasi nuk i ka lejuar ata të lexojnë procesverbalet dhe po bën presion. Prendi tha se më 21 janar kanë zbatuar ligjin, duke mbrojtur personalitetet.

Ne mund edhe të largoheshim dhe të braktisnim objektin, por këtë se bëmë. Kemi qëlluar vetëm në ajër, përdorëm fishekë luftarakë kur na mbaruan ata të manovrës, tha Prendi. Ndërsa kur foli për protestuesit, Prendi i akuzoi ata se vunë në rrezik jetën e kryeministrit dhe ministrave që ndodheshin në objekt.

Prokuroria i paraqet viktimat si spektatorë, ndërsa Gardën e trajton sikur ka marrë shënjestër për të vrarë njerëz të pafajshëm, ka deklaruar Prendi.

Prendi ka akuzuar Prokurorinë, e cila sipas tij nuk ka kryer hetime. Sipas Prendit, organi i akuzës e akuzon për vrasje personash, ndërkohë që nuk ka prova për atë.

Gjatë seancës, ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është shprehur se po trajtohet më keq se kreu i ndonjë bande kriminale, ndërsa tha se gjatë marrjes në pyetje, prokuroria ka ushtruar presion psikologjik mbi të.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›