E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshim në drejtimin e Tiranës, që prej ndryshimit, i pari të përfitojë qytetari

31-03-2011 / Nga Lavdrim Lita

Vendi po ndryshon dita-ditës. Ka vështirësi të shumta për të arritur një standard jetese adekuate me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Por jemi në rrugë të drejtë. Ndonëse handikapi më pengues i këtij procesi integrues është pa dyshim kryeqyteti, Tirana që është fikur se qeni një burim i fortë energji ekonomike, sociale dhe kulturore. Lokomotiva e Shqipërisë është kthyer si karroca e Dylit. Gjithçka në kryeqytet po ecën me një inerci të frikshme, tamam siç ecin autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio e anasjelltas. Dhe ne e dimë përse. Klientelizmi dhe taksat e larta po mbysin biznesin në çdo qelizë. Me një llaf kemi një kryeqytet në depresion, i ndrydhur në çdo aspekt të jetës, pa dashur të fyej banorët që mendojnë ndryshe. Është urgjente një terapi shock emocional për të lëvizur kapitalin dhe çliruar biznesin e vogël nga kërcënimi permanent i taksidarëve të Bashkisë. Janë plot 80 taksa që fusin dorën në xhep qytetarëve të Tiranës. Kushdo që premton reduktimin e këtyre taksave është i votueshëm.
Sakaq në Tiranë ka plot eko-monstra betoni, panjerëzi brenda, për shkak se është ndërtuar më së shumti për të pastruar paratë e pista. Këtë e dimë por s’e themi. Me këto para të pista janë blerë e shitur dhjetëra sheshe dhe leje ndërtimi pa kriter urbanistik për të ngritur pallate obezë dhe qiellgërvishtës anoreksik. Bulimia për të mbjellë hekur-beton mbi hapësirat e gjelbra, me lejen e bashkisë Tiranë, këto 10 vitet e fundit është tashmë më një fakt i pakundërshtueshëm, që nuk kundërshtohet as nga vetë Rama. Bile ky i fundit dje ishte tek hyrja e asaj që quhet “Komuna e Parisit”, ku përuroi ca metra rrugë të asfaltuara duke ngushtuar trotuarin, i cili është ende i papërfunduar. Ai trotuar 30 cantim tek rruga e ish-partizanit “Medar Shtylla” është një përqeshje për të gjithë këmbësorë që rrinë në rresht sikur të ishin në radhën e qumështin për të kaluar matanë. Askush s’ka folur për hollimin e tretjen e dyshimtë të trotuarit në një rrip njëkalimsh. Afërmendsh kjo s’është asgjë. Sepse kjo zonë e njeh mirë se çfarë është në gjendje të bëjë Edi Rama për ta, ngase në dimër një ditë ose natë me shi përmbyt të gjitha katet e para të pallateve dhe bllokon rrugën e trafikut. Ja është trafiku pika më e dobët e Ramës që prodhon aq shumë ndotje sa ai vetë preferon të kalojë natën dhe fundjavën në kullën e Pezës për të marrë ajër të pastër.
Mirëpo për Edi Ramën alibitë kanë shterur prandaj ka gjetur një totem të gjithanshëm si fajin e ka Saliu për të trembur votuesit që të mbesin në llogoren e vjetër. I tremb me konferenca për shtyp të tellallëve të mortit që lajmërojnë vdekje dhe vjedhje. Atij më shumë se kushdo tjetër i intereson të kundërshtojë ndryshim e kryeqytetit sepse kështu do të thyejë ajo pasqyra me të cilën për shumë vite është parë i bukur, i mirë dhe fitimtar. Mirëpo sot ka ardhur koha për të ndryshuar një drejtues të konsumuar në dy punë (bashki & parti), me një tjetër të ri, si në moshë, ashtu edhe në vizion. Vetëm 38 vjet është Lulzim Basha dhe ka arritur tash në Ministritë që ka drejtuar një sërë suksesesh. Mjafton merita e liberalizmit të vizave, me përmbysjen e misionit të standardeve, për të pasur një besim paraprak të mirëqeverisjes në krye të Bashkisë Tiranë. Është guxim civil të pretendosh të administrosh të mirat dhe të këqijat e këtij qyteti plot histori. Sot ka ardhur koha të japin shansin një tjetër politikani për të drejtuar punët e bashkisë, ngase nga ky i tanishmi, ne, jemi të braktisur që në momentin është kur është angazhuar me kohë të plotë në punët e Partisë Socialiste. Nëse kemi pak arsye do të peshojmë mirë ofertat që na bëjnë kandidatët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›