Berisha konfirmon vullnetin politik për 8 majin, Brukseli përsërit apelin edhe për Ramën
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian shprehën optimizmin se vlerësimet e partive politike po shtojnë shpresat për përmbushjen e standardeve të zgjedhjeve, 8 majin e ardhshëm. Kryeministri Berisha i konfirmon komisionerit Fyle vullnetin politik për përmbushjen e standardeve, ndërkohë që tek opozita po haset vetëm shurdhëria për zgjedhjet vendore
Qeveria shqiptare i përcjell garanci të plota Brukseli zyrtarë se në 8 maj Shqipëria do zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë takimit që kryeministri Berisha zhvilloi dje më komisionarin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Fyle, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri-KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së, është diskutuar gjerësisht edhe mbi zgjedhjet vendore si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit shqiptar i rikonfirmoi Komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor. Ndërsa i dërguari i Brukselit, Stefan Fyle u shpreh se procesi i 8 majit është vërtet i një rëndësie madhore për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë. Në vjeshtë të këtij viti Komisioni Evropian do të dorëzojë progres raportin për Shqipërinë, ndërsa nga vlerësimi i dokumentit do të konfirmohet edhe statusi i vendit kandidat në BE.
Në vijim, kryeministri vlerësoi se edhe Seminari që po zhvillohet këto dy ditë në Tiranë mbi Planin e Veprimit është një ri-konfirmim i qartë i kësaj mbështetje. Më tej, Kryeministri Berisha theksoj se anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces. Komisioneri Fyle e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për mbështetjen dhe angazhimin aktiv të qeverisë për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e Seminarit në shërbim të përmbushjes së 12 rekomandimeve, si një shenjë e qartë e angazhimit të qeverisë në këtë proces. Komisioneri Fyle i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE. Në takim u diskutua që Seminari i sotëm të pasohet nga konsultime dhe evenimente të tjera kontakti midis Shqipërisë dhe BE-së me qëllim ndjekjen dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara nga komisioni në Opinionin e tij. Seminari do të konkludojë në një sërë masash afatshkurtra e afatmesme për përmbushjen e të 12 kërkesave të Opinionit dhe kërkesave të tjera të lidhura me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fyle dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin pro-aktiv të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e të gjitha kërkesave të këtij procesi dhe i rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet e BE-së për adresimin e 12 rekomandimeve dhe të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me procesin e integrimit, në çdo forum apo nëpërmjet çdo instrumenti bashkëpunimi të përcaktuar bashkarish.
Fyle: Ngërçi politik të marrë zgjidhje para 8 majit - opozita të kontribuojë për zgjedhjet/Përmes një konference për shtyp, komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, ka deklaruar se mosmarrëveshjet politike vonojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duke i bërë thirrje të dy krahëve politik që të gjejnë rrugën e kompromisit, Fyle tha se procesi elektoral i 8 majit është tregues vendimtar për integrimin evropian të vendit. “Ngërçi politik duhet të zgjidhet, kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve. Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të veprojnë dhe të përfaqësojnë popullin. Marrja në konsideratë e prioriteteve, pasojat e krizë politike dhe ngërçi politik pengojnë reformat për progresin në BE” - u shpreh Fyle. Kjo ishte deklarata e Komisionerit për Zgjerimin Europian Fyle, i cili erdhi në Tiranë në një përpjekje për të arritur një dialog konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Duhet dialog konstruktiv mes palëve dhe ta çojnë Shqipërinë drejt rrugës për në BE. Duhet t’i inkurajoj të gjitha palët dhe me konsensus për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente” - tha Fyle duke vënë në dukje ndihmën e ndërkombëtarëve, si dhe rolin e 12 rekomandimeve, të cilat duhet të përmbushen nga institucionet shqiptare. “Bashkëpunimi konstruktiv mes partive për implementimin e propozuar është çelësi i suksesit për t’i dhënë fund ngërçit” - tha Fyle. Në një konferencë për shtyp, ai ka kërkuar që të ketë qëndrime konstruktive për planin e veprimit. “Mirëpres gatishmërinë e palëve dhe ato duhet të kuptojnë rëndësinë e 12 prioriteteve. Besojmë në potencialin e Shqipërisë, dhe ngërçi politik duhet të zgjidhet”, ka pohuar ai. Sipas tij, qytetarët presin zgjidhjen e ngërçit politik dhe duhet të ketë dialog konstruktiv mes palëve. “Të përmirësojnë funksionin e parlamentit. Inkurajoj palët për qasjen konstruktive. Duhen hapa deçizivë në afat të shkurtër kohor. Ka ardhur koha të vendosim për afrimin me Bashkimin Evropian”- u shpreh ai. Sipas Fyle, duhet që të vendoset interesi i vendit mbi gjithçka dhe se Bashkimi Evropian është gati që të lehtësojë hendekun qeveri-opozitë. “Kompromisi i nevojshëm nga palët dhe Komisioni Evropian do vijojë të angazhohet me palët, ne do ofrojmë orientimin tonë”, deklaroi ai më pas. Duke përfunduar qëndrimin e tij se “shpreson që procesi do mobilizojë energjitë e nevojshme, pasi zgjedhjet e 8 majit janë të rëndësishme”. Ndërkaq, Fyle vlerësoi gatishmërinë e përfaqësuesve politike, por në të njëjtën kohë theksoi me shkronja të mëdha se në qoftë se nuk gjendet një zgjidhje, Komisioni nuk do të dijë të vlerësojë dhe kjo do të çojë që Shqipëria të mbetet prapa nga fqinjët për në BE.