Ministri i Çarçanit, kryeplak i Edi Ramës

Shane Korbeci, njeriu që është marrë me tregtinë dhe kontrabandën e Enver Hoxhës, u shfaq dje tek Komuna e Parisit, pas Edi Ramës, duke treguar se është kryeplaku socialist i lagjes, por edhe përfaqësuesi i Adil Çarçanit tek bashkia e 2011-s. Pyetja është: “A s’u çlirua ende kryeqyteti nga pushteti i TaoTao-s”?
Takimi elektoral i Edi Ramës u zhvillua “gju më gju” me anëtarët e partisë (ndërmarrjes me përgjegjësi të kufizuar) në Njësinë Bashkiake nr.5 në kryeqytet. Në përfundim të rrugës që dikur mbante emrin “Komuna e Parisit” dhe sot mban emrin e ministrit komunist Medar Shtylla, Edi Rama realizoi edhe qëllimin për të cilin kishte shkuar në atë njësi. Duke pasur pranë ndonjë plak, ndonjë të humbur, etj, Edi pasi i kishte shprehur një banori lumturinë se këtej e tutje ai do lëvizte me biçikletë në një rrugë ku as makina nuk ia del dot, doli për të folur fjalët e zakonit. Pas tij qëndronte edhe ish ministri i Tregtisë së Jashtme i viteve 1982-1991, Shane Korbeci. 69 vjeçari ka gjetur rehati në Njësinë Bashkiake nr.5 në kryeqytet që nga maji i vitit 2007, teksa ushtron një detyrë sekretari. Pension më të mbarë sesa ky nuk mund të kishte për një ish ministër të qeverisë së Adil Çarçanit. Ndoshta është harruar 10 dhjetori i vitit 1991, kur Hetuesia e Përgjithshme dhe Prokuroria e Përgjithshme kërkonin heqjen e imunitetit të deputetit të atëhershëm të Tiranës, shokut Shane Korbeci për abuzim me detyrën. Për shumë vite emri i Korbecit ngeli në harresë derisa në fillim të viteve 2000, ai u aktivizua në qarqet socialiste për shkak të ndërhyrjes së një deputeteve socialiste. Tashmë e shohim edhe më qartë se me çfarë figurash do përfaqësohet Edi Rama në fushatën e tij të këtij viti, se çfarë do të premtojë ai kur s’ka ç’të thotë më. Jo më kot ish ministri i qeverisë Çarçani ishte në krah të Edi Ramës. Të dy përfaqësojnë një ideal.