E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshime në sistemin e mbikëqyrjes dhe parandalimit të sulmeve

Presidenti amerikan, Obama, pritej të paraqiste dje reformat që synohen për t’u ndërmarrë në lidhje me parandalimin e sulmeve të ardhshme të mundshme terroriste, si tentativa e avionit që nisej për në SHBA ditën e Krishtlindjeve. Ai po përpiqet që të limitojë të gjitha pasojat negative të incidentit. Obama pritej që të nënvizonte masat fillestare të ndryshimeve pas takimit që ka pasur me shefat e shërbimeve sekrete dhe këshilltarët për çështjet e sigurisë kombëtare.
Dita e parë e punës pas pushimeve për Obamën ka qenë tërësisht e dedikuar çështjeve të sigurisë, që befas ka dalë në krye të axhendës së tij të mbushur me probleme e sfida. Administrata është sërish në sulm, për shkak të dështimit të shërbimeve sekrete që “lejuan” një nigerian me lidhje me Al-Kaedën të hipte pa asnjë dyshim në bordin e një avioni që do të shkonte në SHBA më 25 dhjetor. Nigeriani akuzohet se tentoi që të hidhte në erë avionin me eksploziv, i cili fshihej në veshjet e brendshme. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar menjëherë se gabimet duhet që të ndreqen dhe se për këtë duhen bërë disa ndryshime në sistemin e sigurisë. Republikanët e kanë vënë Presidentin nën akuzë për mungesë të aftësisë për të ndrequr problemet te shërbimet sekrete, probleme që çuan edhe në sulmet e 11 shtatorit në Amerikë.
Në këtë mënyrë republikanët shpresojnë që të sfidojnë demokratët në zgjedhjet për në Kongres, të cilat do të zhvillohen në nëntor. Ndërkaq, Presidenti do të vazhdojë t’u dedikohet edhe çështjeve të tjera të axhendës, si reformës në shëndetësi e problemeve të tjera. Vetëm se tani çështja e sigurisë do t’i hajë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar. Ndërkaq, Obama është kritikuar nga kundërshtarët e tij për një reagim të vonshëm në lidhje me ngjarjen. Ai priti tri ditë për të bërë deklaratën e parë në lidhje me çështjet e sigurisë dhe për ngjarjen e sulmit të avionit. Megjithatë, administrata amerikane të hënën ka vendosur rregulla të rrepta për të gjithë ata që do të fluturojnë nga vende të ndryshme të botës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke publikuar edhe listën e 14 vendeve ndaj pasagjerëve që do të ketë një kontroll të veçantë.
Obama ka parashikuar takime me krerët më të lartë të agjencive të shërbimeve sekrete të Amerikës për të shqyrtuar atë që ai e konsideroi “një dështim njerëzor dhe sistemi”. Vetëm pas këtij takimi, Presidenti do të bëjë edhe deklaratat e tij të para në lidhje me masat e reja të sigurisë, në të cilat përfshihen edhe disa reforma në sistemin e mbikëqyrjes, si edhe në parandalimin e tentativave të sulmeve të ndryshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›