Për ditën e “Ujit të Bekuar”
Kreu i Beogradit bëhet gati të vizitojë Kosovën për ditën e “Ujit të Bekuar”, apo “Krishtlindjet ortodokse lindore”, që përkojnë në kalendar ditën e nesërme, por nuk ka marrë sërish leje në autoritetet e Republikës së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tashmë ka paketuar valixhet, bashkë me truprojat e tij të armatosura, dhe është bërë gati të vijë në Kosovë për një vizitë dyditore në Osojan dhe në Manastirin e Deçanit. Tadiç, i cili edhe më parë ka qëndruar në Kosovë, të cilën vazhdon ta quajë pjesë të Serbisë, asnjëherë nuk ka kërkuar leje për vizitë nga autoritetet e shtetit të Kosovës, por ka insistuar se mund të vijë në Kosovë sa herë të dëshirojë.
Edhe kësaj radhe ai duket se ka informuar vetëm Zyrën e BE-së në Beograd për intencën e tij, ndërsa kjo zyrë e ka përcjellë këtë informacion te përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, i cili më pas e ka përcjellë atë te qeveria dhe Presidenca e Kosovës. Këto të fundit, siç merr vesh “Koha ditore”, ende heshtin për vizitën e kreut serb, duke u fshehur prapa pushimit të zgjatur të fundvitit, ndërsa nëse përvoja nga e kaluara përsëritet, gjasat që institucionet shtetërore të Kosovës t’ia ndalojnë ardhjen Tadiçit janë tejet të vogla.