Ndryshime për fitore

Kombëtarja shqiptare, ka lënë prapa krahëve humbjen dëshpëruese nga Islanda, derisa kanë bërë përgatitjet maksimale për ndeshjen e së martës, kundër Sllovenisë e vlefshme për kualifikimet e botërorit ‘Brazili 2014’.
Trajneri i ekipit kuqezi Gianni De Biasi, është paraqitur në konferencën për shtyp me këmbë në tokë dhe aspak euforik, ndryshe nga sa ishte para sfidës me Islandën. Ai ka kërkuar mbështetje nga të gjithë derisa ka nënvizuar vështirësinë që paraqet kundërshtari i radhës.
“Për të ndërtuar një ekip rezultativ futbolli duhet punë dhe kohë. Ne këtë po mundohemi të bëjmë edhe me Kombëtaren shqiptare. Ndodh të kesh edhe momente jo të mira, apo të mos marrësh atë që ke pritur e merituar, sikurse na ndodhi neve ndaj Islandës. Një humbje e hidhur, që natyrshëm ka ndikuar edhe në atmosferën e krijuar brenda e jashtë kombëtares”, ka thënë italiani në konferencën për media.
“Shqipëria ka një kombëtare me lojtarë relativisht të rinj, që kërkojnë mbështetje. Nuk duhet t’i ngarkojmë me shumë presion, sepse nuk ua mbajnë shpatullat. Le t’i mbështesim edhe në momente të vështira, sepse kemi një grup të mirë lojtarësh, por jo yje, që mund të bëjnë diferencën”, shtoi De Biasi.
56-vjeçari ka treguar se ekipi kuqezi të martën mbrëma do të mundohet të realizojë gol dhe mos të pësojë asnjë. Ai ka porositur lojtarët e tij të kenë durim dhe mos ta humbasin përqendrimin në fushë pasi përballë kanë një kundërshtarë të vështirë.
“Luajmë në fushën tonë dhe natyrshëm që kërkojmë fitoren, por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Të gjithë kemi dëshirë të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe në këtë mënyrë të shkojmë në finalet e Botërorit 2014, por tjetër është dëshira dhe tjetër mundësia. Le t’i hedhim hapat një e nga një, me shumë kujdes dhe duke dhënë më të mirën tonë, me shpresën se në fund të këtyre eliminatoreve do të përligjemi për punën e bërë”, ka thënë ai.
Për të ardhur deri te fitorja, ish-trajneri i disa skuadrave të njohura italiane, ka paralajmëruar se sonte mbrëma formacioni i ekipit kuqezi do të ketë ndryshime, por pa folur me emra.
“Për ndeshjen e radhës do të bëjmë lëvizje në formacion, ndërsa këto ditë jemi munduar të përmirësohemi në ato drejtime ku çaluam ndaj islandezëve. Ua kam thënë lojtarëve, po e përsëris edhe për juve, gazetarët: duhet bërë shumë kujdes me Slloveninë. Një kombëtare që ka lojtarë kompetitivë, që luajnë rregullisht në kampionatet e huaja. Detyra jonë është të shënojmë një gol më shumë se kundërshtari, sepse vetëm kështu fitohet, por para së gjithash është mirë të mos pësojmë”, ka përfunduar De Biasi.
Ndeshje Shqipëri – Slloveni do të zhvillohet të sonte në stadiumin ‘Qemal Stafa’ nga ora 20:45. Pas tri ndeshjeve të zhvilluara në Grupin E, përfaqësuesja helvetike prin në grup me 7 pikë të tubuara, një më pak se Islanda. Vendi i tretë i takon Norvegjisë me 4 pikë të tubuara. Kurse vendi i 4-t, i 5-të dhe i 6-të është i rezervuar për Shqipërinë, Qipron dhe Slloveninë, që kanë vetëm nga tri pikë të tubuara.
Edhe sllovenët kërkojnë tri pikë
Në anën tjetër, Jasmin Kurtic insiston se Sllovenisë i nevojiten tri pikë në Tiranë, për ta vazhduar rrugëtimin drejt kualifikimit në Botërorin ‘Brazili 2014’. Futbollisti i Palermos e njeh vetëm shokun e skuadrës, Samir Ujkani, por më shumë është i koncentruar te bashkëlojtarët, sesa te kundërshtari.
“Tri pikët që i morëm në shtëpi, ishin gjëja më e rëndësishme. Nuk ka kohë të mendojmë për lojën apo mundësitë e lëshuara. Edhe në Shqipëri do të jetë e njëjta gjë. Duhet të shkojmë atje për të fituar, është gjëja e vetme që çon peshë. E njoh vetëm shokun e skuadrës, Ujkani, por duhet të luajmë për veten, pa i shikuar të tjerët. Nëse e bëjmë lojën tonë, nuk do të kemi probleme”, deklaroi Kurtic për mediet sllovene.