‘Çudia’ e Superligës

Në futbollin kosovar vazhdojnë të ndodhin gjëra të çuditshme. Së fundmi, në ndeshjen ndërmjet Dritës dhe Trepçës ’89, kryendeshje e xhiros së 10-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, mungoi diçka elementare në futboll – autoambulanca.
Në fakt, mesfushori i ekipit gjilanas, Përparim Osmani – Laçi, pas një përplasjeje me një lojtar kundërshtar, e theu këmbën, mbi nyje. Gjendja u alarmua nga trajneri Arbnor Morina dhe nga lojtarët që ishin në fushë, që u trishtuan me lëndimin e Osmanit.
Mirëpo, në vend se të arrinte autoambulanca, për ta transportuar futbollistin me urgjencë në spital, papritmas në fushë u pa një veturë private, me të cilën kurrsesi nuk bënte të dërgohej në spital futbollisti.
Por, duke e pasur parasysh se kjo ishte alternativa e vetme, u vendos që ‘Laçi’ të transportohej me këtë veturë, e papërshtatshme për këtë punë dhe në kushte mjaft të vështira. Klubet e Superligës, më saktësisht ekipi vendës, janë të obliguara për ta siguruar në çdo ndeshje autoambulancën. Por, kjo nuk ndodh në secilin stadium.
“Klubet e Superligës janë të obliguara që ta sigurojnë autoambulancën në stadium ose një automobil të përshtatshëm, që i ka mjetet themelore dhe të nevojshme”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu.
Si në të shkuarën, edhe këtë herë drejtuesit e futbollit kosovar e pritën të ndodh një rast, për t’i shtrënguar dhëmbët. Ata premtojnë se do të jenë më rigorozë tash e tutje, në mënyrë që rasti i Gjilanit mos të përsëritet më.
“Me siguri se do të merremi me këtë çështje shumë shpejt. Duhet me qenë unike për të gjitha ligat, do ta precizojmë që secili klub, në secilën ligë, që ta sigurojë autoambulancën, sipas mundësive”, vazhdoi ai.
Klubet që nuk do ta respektojnë urdhrin e shtëpisë së futbollit kosovar, mund ta pësojnë vet. “Do të ndërmerren masa për ato klube që nuk e respektojnë urdhrin tonë. Madje, mund ta humbin edhe ndeshjen”, përfundoi Salihu.