E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimi i Blatterit

Kreu i FIFA-s, Sepp Blatter ka premtuar se organizata të cilën ai e drejton do të vendosë përfundimisht për Kosovën në mbledhjen e radhës, në muajin dhjetor. Zvicerani insiston se kthim prapa më nuk ka, por u tregua më i ‘ftohtë’ kur u pyet për pranimin e plotë të futbollit kosovar në FIFA.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FFK), Sepp Blatter ka premtuar se rasti i Kosovës do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që do të mbahet në Tokio të Japonisë, në muajin dhjetor të këtij viti.

Kreu i futbollit botëror e bëri këtë premtim në debatin me temën: ‘Futbolli është më shumë se lojë’, që u mbajt të hënën në Gjenevë të Zvicrës, ku krahas tij ishte i pranishëm edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe personalitete të tjera të sportit.

“Shtyrja që e bëri FIFA për datën e vendimit tonë, nuk do të thotë se ne kemi ndryshuar qëndrimet. Përkundrazi, kthim mbrapa nuk ka nga vendimi që kemi ndërmarrë kohë më parë, por tash e tutje mbetet që të diskutohen detajet dhe disa formalitete të zbatohen në vendimin e FIFA-s, që besoj se më 14 dhjetor do të ndodhë në takimin e radhës të KE-së në Tokio të Japonisë, duke e marrë një vendim të prerë për Kosovën”, ka deklaruar Blatter në konferencë për shtyp, para medieve ndërkombëtare.

“Shtyrja jonë për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të Kosovës ka të bëjë me shkaqe teknike. Mirëpo, nuk e kemi ndërmend ta shtyjmë më vendimin, ua jap fjalën. Ndryshe, Fadil Vokrri me shokë do na qesin telashe. Faleminderit për durimin dhe mirupafshim në Tokio, me të drejta për Kosovën. Shpresoj që së shpejti do ta vizitoj Prishtinën”, ka shtuar zvicerani.

Sa i përket çështjes të anëtarësimit të FFK-së në FIFA dhe UEFA, Blatter i ka zbritur të gjithë me këmbët në tokë. “Sa i përket anëtarësimit, mund të them se ne nuk mund të ecim para politikës. Dua të them se Kosova së pari duhet të jetë anëtare e OKB-së, e pastaj anëtare e FIFA-s. Ne merremi me sport, me futboll dhe nuk do t’ia mohojmë Kosovës të drejtën për të luajtur futboll, ndeshje ndërkombëtare, miqësore me ekipet botërore, anëtare të organizatës sonë”, përfundoi Blatter.

Në fund të muajit shtator, FIFA e shtyu vendimin për lejimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës, për të cilën sipas të gjitha gjasave do të vendosë më 14 dhjetor, në Tokio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›