E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sonja rrëfen Del Pieron: Kërcen më mirë se Boateng

ROME-Familja Del Piero është duke shijuar një jetë të re, larg Torinos e Italisë, në Sidnein e largët. Alesandro Del Piero është pritur si një hero në Australi, aty ku dy ditë më parë shënoi edhe një gol për ekipin e tij Sidney FC. Ai duket që tani i ambientuar me jetën e re, ndërsa bashkëshortja Sonja Amoruzo thotë se ndryshimi i ka bërë mirë ish-kapitenit legjendar të Juventusit.
Sonja, cili ishte mendimi i parë kur dëgjuat të flitej për Sidnein?
Nuk pata frikë, sepse mendja ime ishte përgatitur për një ndryshim. Afër apo larg, në atë pikë kishte pak rëndësi.
Çfarë dinit për Sidnein si qytet?
Pak, por tani po zbuloj një qytet të mrekullueshëm.
Ishte e vështirë të bënit gati valixhet?
Jo. Mora gjërat esenciale për veten dhe për fëmijët. Ale mori më shumë valixhe, sepse ka nevojë për të gjitha këpucët dhe gjërat e tij. Veç kësaj, atij nuk i pëlqen të bëjë shoping.
Shqetësimet e para si mama?
Asnjë në veçanti. Tobias, Dorotea dhe Sasha janë kaq të vegjël, sa përshtaten pa probleme. Për momentin po e jetojnë si pushime: deti, kopshti zoologjik, akuariumi.
Ju nuk ishit shkëputur kurrë nga Torino, si e përjetoni largësinë?
Pa probleme të mëdha. Çatoj me miket e mia dhe në mbrëmje nga dyqani më vijnë raportet financiare të ditës. Që këtu madje organizova një evend me katering, sërish në dyqan. Ndërsa në Sidnei jam ambientuar mirë. Kam mësuar të ngas makinën nga e majta.
Keni gjetur kopsht për fëmijët?
Jo, ende. Do të shkojnë Tobias e Dorotea, por jo Sasha, sepse tre vitet e para këtu nuk i marrin fëmijët.
Ka ndonjë pjesë të Alesandros që ka mbetur sekrete këto vjet?
Mendoj se ka dalë pak në dukje ironia e tij. Alesandro është shumë i zoti si imitues, sidomos i Bruni Piculit dhe personazheve të tjerë të futbollit. Është edhe një balerin shumë i zoti.
Më i mirë se Boateng?
Eh... po...(këtu ndërhyn Del Piero: "Është e çuditshme që nuk ka qarkulluar kurrë diçka e tillë. Në çdo festë për fitimin e titullit, unë kam qenë gjithnjë mbreti i pistës).
Kur është hera që e ke parë Alesandron më të lumtur?
Kur shënon, kur fiton. Unë e them përpara se unë vij përpara futbollit, fëmijëve, golfit..(ndërhyn sërish Del Piero: Lëri këto, ti vjen përpara golfit).
Sa rëndësi ka familja në sukseset e Del Pieros?
(Flet i pari Del Piero: "Shumë! Shtëpia për mua është si një vendstrehim"). Është një baba që ka qejf të luajë me fëmijët. Kur ai vjen në shtëpi, unë nuk ekzistoj më për të vegjlit.
Jeni mësuar me popullaritetin e burrit tuaj, që shpesh sjell situata jo të zakonshme?
Nuk mësohesh kurrë. Gjatë këtyre viteve unë kam zhvilluar një shqisë të gjashtë, që më lejon të analizoj situatat dhe të kuptoj shpejt nëse ka rreziqe. Pastaj, shoh histori të jashtëzakonshme. Një muaj më parë ishim në Eurodisney. Një italian që punon atje na tha që vëllai i tij në Peruxhia e ka dhomën plot me postera të Del Pieros dhe na e kaloi në telefon. Ky djalosh u informua për dhomën tonë, por mëngjesin tjetër ne do të iknim. Ai udhëtoi gjithë natën nga Peruxhia dhe në mëngjes ishte aty, në kohë për të bërë një foto me Alen.
Do të ndryshojë diçka Sidnei në jetën tuaj?
Nuk besoj, por Alesandro më duket ndryshe. Ai numëron deri në një mijë për të thënë një fjalë, por ambienti i Sidneit e ka relaksuar pak. Dhe për këtë jam e lumtur.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›