E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime të reja në polici, rikthehen shefat e krimeve

Projekti, në studim nga drejtuesit, për të shmangur përplasjet me ligjin e ri
Një tjetër reformë pritet në radhët e policisë, pasi duket se ka dështuar struktura e re e saj. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mësohet se do të ketë një rialokim të forcave policore në të gjithë vendin, duke rikthyer edhe njëherë strukturën e vjetër, për të rimarrë kompetencat e humbura te gjithë komisariatet. Megjithatë, ky ndryshim po studiohet tërësisht, pasi rrezikon të bjerë ndesh me ligjin e ri të policisë dhe mund të sjellë një kaos në respektimin e tij.
Vetëm tre vjet më parë, strukturat e policisë e kishin gjithë forcën e tyre te komisariatet. Këto të fundit ishin shkalla bazë për hetimin e krimit, nga ku nisnin gjithë procedurat për hetimin e krimit, ose për rendin dhe sigurinë publike. Të gjithë komisariatet kishin shefat përkatës të krimit apo të rendit. Por, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të policisë, komisariatet mbetën vetëm në rolin e “magazinierit”, ku depozitoheshin kallëzimet penale, pasi ndiqeshin nga struktura të tjera. Në këtë aspekt u krijuan seksione dhe sektorë përkatës për gjithë llojet e krimit, duke u ndarë që nga ato kundër krimit, apo edhe ato kundër personit. Të gjitha këto struktura u përqendruan në drejtoritë përkatëse të policisë dhe asnjë nëpër komisariate, duke u lënë atyre vetëm krimet e lehta.
Fillimisht, ky projekt-pilot u zbatua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe u cilësua si i suksesshëm dhe më pas u shtri edhe në qarqet e tjera. Kështu mendohej se po realizohej puna e policisë derisa në krye të saj erdhi Hysni Burgaj, i cili u emërua drejtor i Përgjithshëm pas dorëheqjes së Ahmet Prençit. Që në ditët e para në krye të policisë, në një intervistë për gazetën e policisë ai deklaroi se do ketë një rialokim të të gjitha forcave policore. Por, ditët e fundit është vënë në dijeni se ky rialokim do bëhet duke rikthyer strukturat e vjetra, ashtu siç ishin tre vjet më parë. Nga të dhënat pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mësohet se po studiohet që nëpër komisariate të rikthehen sërish gjithë strukturat e krimit dhe të rendit siç kanë qenë. Plani është studiuar nga një grup pune dhe u është paraqitur edhe drejtuesve të policisë.
Megjithatë, duke marrë shkas nga presioni i ndërkombëtarëve, të cilët kanë marrë përsipër të vëzhgojnë implementimin e ligjeve të reja në polici, grupi i punës duhet të ketë tejet kujdes që mos të cenojë ligjin e ri të Policisë së Shtetit. Për këtë arsye, bashkë me juristë është vendosur që të kontrollohet që rikthimi i strukturave të vjetra mos të dëmtojë asgjë nga arritjet e policisë.
Pavarësisht se kjo është tejet e vështirë, duket se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është e vendosur për këtë, duke marrë shkas edhe nga alarmi i lëshuar nga kreu i saj në fund të vitit, që deklaroi se komisariatet nuk po kryejnë asnjë detyrë.
Veç faktit të rikthimit të strukturave të vjetra, shqetësimi vjen edhe më i madh në radhët e policisë. Sipas të dhënave, ndryshimi i këtyre strukturave do të sjellë automatikisht edhe lëvizjen e efektivëve nga një sektor në tjetrin. Sipas tyre, nëse hapen vende të lira në komisariate, ku rikthehen strukturat e vjetra, detyrimisht atje do të dërgohen efektivë që ndodhen në vende të ndryshme pune, duke sjellë kështu një tjetër “reformë” në polici. Gjithashtu, burimet policore shpjegojnë se rialokim po bëhet edhe brenda strukturave aktuale të policisë. Pas një studimi të realizuar nga inspektimi, ka rezultuar se disa sektorë të policisë janë të fryrë, pavarësisht punës së pakët që kryejnë, ndërsa të tjerë kanë nevojë për efektivë për shkak të problematikave të shumta që duhet të përballojnë. Për këtë arsye, efektivë të tepërt në një sektor do të dërgohen në sektorë të tjerë, ku është i nevojshëm kontributi i tyre, me qëllim përballimin e detyrave. Këto struktura pritet të rialokohen gjatë muajve në vijim dhe shkallë-shkallë, pasi mund të rrezikojnë detyrat primare të policisë shqiptare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›