E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime të tjera në zhvillimin e provimeve

19/09/2009  Matura shtetërore

Matura shtetërore do të pësojë ndryshime të mëtejshme në zhvillimin e testimeve, nga ku nxirren kandidatët që do të pranohen çdo vit të ri akademik në universitete. Lajmi është konfirmuar ditën e djeshme nga kreu i Ministrisë së Arsimit Myqerem Tafaj, i cili ishte i pranishëm në tryezën e zhvilluar për menaxhimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjes së tij, ku gjithashtu merrnin pjesë edhe drejtues të Universitetit të Tiranës si dhe Akademisë së Shkencave. “Matura Shtetërore do të konsolidohet drejt një mature shtetërore të standardeve evropiane, që gjimnazistët shqiptarë të hyjnë në çdo shkollë të Evropës dhe të Botës pa asnjë provim plotësues. Sigurisht, universitetet kanë të drejta të plota të vendosin kritere në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit për ta rritur nivelin e Maturës Shtetërore”, - ka pohuar Tafaj. Sipas tij, qeveria në mandatin e dytë do të investojë me përparësi në ndërtim godinash të reja deri në kampuse të reja. “Ne do të fillojmë me ndërtimin e kampuseve për të përballuar rritjen e numrit të studentëve drejt shifrës 150 000 studentë, dhe Shqipëria duhet të ketë 150 000 studentë”, - ka përfunduar ministri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›