E Diel, 1 Nëntor 2026

Kutia e “zezë” e autoveturës ndihmon Interpolin

19/09/2009  Gjendet në Fushë-Krujë një mjet i vjedhur jashtë Shqipërisë

Kishte sistemin e koduar ASF 2, e cila kontrollohej nëpërmjet satelitëve

DURRES- Interpol Tirana e ka pasur shumë të lehtë të identifikojë pronarin e mjetit si dhe vet mjetin e trafikuar nga Perëndimi në Shqipëri në saj të kodit të ri të vendosur në motorin e automjeteve. Një ditë më parë efektivat e policisë së Durrësit së bashku me agjentë të Interpolit shqiptar kanë trokitur në portën e shtetasit Kursim M. duke i bërë të ditur se mjeti që ai kishte në pronësi ishte i vjedhur jashtë vendit. Ka qenë sistemi i koduar ASF 2 që ka mundur të regjistrojë në shiritin e taburatos së mjetit kilometrazhin e përshkuar dhe itinerarin që ka ndjekur mjeti nga vendi i origjinës deri tek pika e trafikuar. Drejtori e Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës është vënë në dijeni se një kamion tip “Fiat” kishte hyrë në territorin e Shqipërisë dhe se gjendej në juridiksionin që mbulon ky shërbim në Durrës. Me shkresë numër 5150/1 të datës 03 gusht 2009 kjo drejtori, e cila ishte në dijeni për llojin e mjetit, tipin, ngjyrën, numrin e shasisë dhe vitin e prodhimit, ka kërkuar ndihmën e policisë. Me anë të shkresës së mësipërme bëhet e ditur se kamioni gjendej në Fushë-Krujë duke i lehtësuar së tepërmi punën policisë. Efektivat blu dhe ata të shërbimit rrugor një ditë më parë kanë udhëtuar drejt Fushë-Krujës dhe kanë vërejtur se mjeti “Fiat” IVECO me targa KR 7780 A ishte mjeti që kërkohej. Kamioni kishte kaluar disa muaj më parë në pronësi të shtetasit Kursim M., i cili ka afruar për policinë të gjitha dokumentet e aktit të blerjes së IVECO-s. 35-vjeçari kishte leje qarkullimi provizore. Të dhënat lidhur me vjedhjen jashtë vendi të kamionit të ri prodhim i vitit 2008 ishin përcjellë për në Tiranë me anë të Interpolit në saj të marrëveshjeve që ka nënshkruar qeveria shqiptare për të luftuar trafikun e mjeteve motorike. Të tilla mjete kanë brenda në motor kutinë, e cila regjistron itinerarin si dhe defektet në raste avarie të rëndë. Strukturat e Luftës Kundër Trafikut të mjeteve motorike në Durrës kanë mundur të rikthejnë në vendet e origjinës dhjeta autovetura prodhime të viteve të fundit të trafikuara në mënyrë klandestine në Shqipëri. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›