Ndryshimet, Olldashi e Pollo betohen te Topi
Sokol Olldashi dhe Genc Pollo u betuan dje në Presidencë. Betimi i dy ministrave të kabinetit Berisha vjen pas ndryshimit të emërtesave të ministrave. Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, ndryshe nga sa quhej deri tani, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve. Ndërkohë, Genc Pollo, i cili deri tani quhej ministër i Shtetit dhe i Marrëdhënieve me Parlamentin, sipas dekretit më të fundit të Presidentit Topi, do të quhet ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, si dhe pas betimit mbi Kushtetutë të dy ministrave Presidenti Bamir Topi u dorëzoi dy anëtarëve të Këshillit të Ministrave dekretet e emërimit, duke u uruar suksese në detyrat e reja dhe të rëndësishme. Përmes ndryshimit të këtyre emërtesave, njëherësh zyrtarizohet edhe kalimi i sektorit të telekomunikacioneve në varësinë e Pollos. Tregu i telefonisë rezulton të jetë momentalisht sektori më dinamik i ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë, 34.4% është rritja ekonomike gjatë tremujorit të fundit në sektorin e telekomunikacionit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pollo merr drejtimin e këtij sektori në një periudhë kur sapo është lajmëruar futja në tregun e telefonisë celulare të një operatori të katërt. Sipas kontratës me kompaninë fituese, celulari i katërt duhet të kishte nisur operimin në muajin tetor të vitit të kaluar, por sikundër ka bërë të ditur qeveria, shkaqet teknike sollën shtyrjen. Aktualisht, tregu i telefonisë së lëvizshme ka mbi 4 milionë abonentë ose rreth 1.2 milionë më shumë se në vitin 2008, ndërsa tregu i telefonisë fikse ka rreth 363 mijë pajtimtarë.