Patozi: S’jemi konsultuar për anëtarët e Kushtetueses
Erald Kapri
Maxhoranca nuk ka kryer konsultime me Presidentin Bamir Topi për emrat e rinj në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi dje se maxhoranca nuk i ka bërë asnjë propozim kreu të shtetit për emrat e rinj në këto institucione, madje nuk do të bëjë asnjë të tillë. Patozi tha se Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes së emrave. “Ne jemi plotësisht dakord që kreu i shtetit të bëjë përzgjedhjen e këtyre kandidaturave përmes një procesi sa më transparent, por ndërkohë nuk mund të mos themi që kemi prirje për të mos votuar asnjë kandidaturë politike, përsa kohë që nuk kemi bërë asnjë propozim dhe as nuk do bëjmë, si për kryetarin e Gjykatës së Lartë, ashtu edhe për atë të Kushtetueses”, tha Patozi.
Në eksperiencën e vitit 2008, kur Kuvendi rrëzoi në bllok me votë politike 5 kandidaturat e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë, drejtuesit e maxhorancës u shprehën se kreu i shtetit nuk ishte konsultuar me aktorët parlamentarë. Sipas tyre, një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2005 detyronte Presidentin që në përzgjedhjen e emrave të ketë konsultim me Kuvendin, përpara dërgimit të tyre në Kuvend për miratim.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së shtoi se mbështet idenë e kandidaturave jopolitike si dhe atyre që nuk kanë lidhje me regjimin komunist. “Ne jemi plotësisht dakord që kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të jenë politike. Vlerësimi i Presidentit është korrekt”, shtoi Patozi. Ai ftoi edhe opozitën të bëhet pjesë në përzgjedhjen e kandidaturave, kur ato të vijnë në Kuvend, pasi kjo sipas Patozit, do vërtetonte rëndësinë që u jep opozita institucioneve të pavarura.
Statuti i PS-së
Nënkryetari i PD-së, Astrit Pazoti, komentoi edhe ndryshimet në Statutin e Partisë Socialiste, duke i cilësuar ato si kthim në kohën e diktaturës komuniste. Duke iu referuar ndryshimeve për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët, Patozi tha se këto ndryshime janë qesharake. “Si për ta bërë akoma më qesharak këtë zhvillim, në programin politik janë përfshirë ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë. Këto janë dy kategoritë sociale më të goditura jo vetëm për 8 vitet e shkuara, që socialistët ishin në pushtet, por për 50 vjet të diktaturës së Hoxhës në Shqipëri. Këto janë shtresa që disa muaj më parë kreu i selisë rozë u tregoi derën dhe i tha të ikin tek partia e tyre”, tha Patozi. Sipas kreut demokrat të grupit parlamentar, ndryshimet në statutin e PS-së kanë blinduar në pozitën e kryetarit të PS-së Edi Ramën. Sipas tij, me këto ndryshime Rama nuk largohet nga partia edhe sikur të ketë humbur 10 palë zgjedhje. “Ky është një blindim i pozicionit të kryetarit të partisë jo në kushte normale, por edhe në rast se humbet 10 herë radhazi zgjedhjet, ai sërish ruan karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste. I cili, sipas ndryshimeve të fundit në statut fiton të drejtën të jetë administrator i përjetshëm i kësaj ndërmarrjeje, edhe pse kjo rezulton me humbje. Në këtë këndvështrim asambleja e djeshme prodhoi një lajm të keq për qytetarët e Shqipërisë dhe socialistët shqiptarë”, shtoi Patozi. Duke iu referuar situatës aktuale politike, Patozi tha se maxhoranca pret kthimin e opozitës në Kuvend. Ai u shpreh i hapur për dialog brenda Kuvendit, ndërsa mbështeti deklaratën e Presidentit Topi që një tryezë e dytë politike në Presidencë është e panevojshme. Patozi shtoi se tryeza në Presidencë i dha frytet e saj, aq sa mund të jepte. “Ne jemi në Parlament. PS-ja është me një këmbë atje. Ne presim që ata të hyjnë një herë e përgjithmonë në Kuvend, duke mos e mbajtur kokën nga dera. Jemi të gatshëm dhe të hapur për çdo lloj dialogu brenda institucioneve. Sa për deklaratën e Presidentit të republikës, ajo është korrekte dhe normale, e cila heq çdo lloj mundësie të rikthimit të tryezës së dikurshme të Presidentit të republikës, e cila besoj i dha frytet e saj, aq sa mund të jepte”, deklaroi nënkryetari i PD-së Patozi.
Anëtarët që u mbaron mandati
Kujtim Puto
01.04.2010
Fehmi Abdiu
27.04.2010
Sokol Sadushi
27.04.1010
Xhezair Zaganjori
21.05.2010
Petrit Plloci
21.05.2010
Admir Thanza
21.05.2010