E Diel, 1 Nëntor 2026

“Emërimet, e pajustifikueshme vonesa për Kushtetuesen e Gjykatën e Lartë”



Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, e vlerëson si të pajustifikuar vonesën e dekretimit të emrave të rinj në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Sipas deputetit të PD-së, fryma e Kushtetutës nuk pranon që një vend bosh të lihet vakant qoftë edhe për 24 orë, ndërsa shtoi se institucionet duhet të bëjnë përpjekjen që vendet të mos qëndrojnë me gjyqtarë që u ka mbaruar mandati. “Të gjithë juristët në Republikën e Shqipërisë bien dakord që vonesa në emërimin e vendeve vakante është e pajustifikuar, për më tepër kur është periudhë disamujore. Ne gjithashtu, biem dakord në interpretim të germës dhe të frymës së Kushtetutës, që nuk duhet të lihet qoftë edhe 24 orë vendi vakant. Pra, institucionet duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që brenda afatit kohor të mbarimit të mandatit të merren njëkohësisht masat respektove, që me mbarimin e këtij mandati, të nesërmen institucioni të ketë pasardhësin e tij”, deklaroi Gumi. Gjykata e Lartë ka që prej muajit tetor që dy prej gjyqtarëve të saj u ka mbaruar mandati, ndërsa Presidenti Topi ende nuk ka dërguar emërimet në Kuvend. Në intervistën e fundit kreu i shtetit tha se shumë shpejt do të respektohet linja kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve në Kushtetuese e Gjykatë të Lartë. Për sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e 4 neneve të ligjit për transportin e zyrtarëve, Gumi e cilësoi si konflikt interesi. “Edhe në këtë rast, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi një ligj, i cili ishte në konflikt interesi”, tha Gumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›