E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet e statutit të PS, baza rrëzon oponencën kolektive

Pyetësori Mbi 70 për qind e opinioneve të anëtarësisë kanë qenë kundër përfshirjes së kësaj pike

Partia Socialiste u rikthehet ndryshimeve tërësore në librin e rregullave të saj. Grupi i punës i ngritur prej disa muajsh në selinë rozë i është përveshur dje punës për të mundësuar këto ndryshime, duke u ndarë në tre grupe të tjera më të vogla. Në një takim paraditen e djeshme, anëtarët e grupit të punës janë njohur me rezultatin e një pyetësori i cili i është shpërndarë anëtarësisë para disa muajsh dhe kanë ndarë detyrat mes tyre. Kështu, një grup do të merret me përmirësimet e dispozitave të përgjithshme të statutit. Grupi i dytë do të ketë si objekt të punës strukturat organizative të partisë në nivel vendor. Sa i takon nëngrupit të tretë, puna e tij do të fokusohet në ndryshimet apo ndërhyrjet në organet drejtuese qendrore. Më pas këto tre minigrupe do të paraqesin një platforme që më pas do u paraqitet strukturave vendore siç janë asambletë në çdo degë.

Në bazë të ndarjes që ka bërë grupi i punës duket se vala e ndryshimeve do të përfshijë organizimin dhe funksionimin e partisë ku përfshihen si strukturat drejtuese në bazë ashtu dhe ato në qendër. Njëkohësisht, këto ndryshime pritet të prekin dhe mënyrën sesi do të zgjidhen përfaqësuesit e forumeve drejtuese të kampit rozë, kjo nisur nga vetë elementet e statutit ku lidershipi socialist ka zgjedhur që të ndërhyhet. Sakaq, pas analizës që u janë bërë përgjigjeve të pyetësorit, lidershipi socialist duket se ka përthithur një mendim të përgjithshëm rreth asaj se çfarë mendon baza mbi fraksionet. Burime nga selia rozë thanë se mbi 70 për qind e opinioneve të anëtarësisë socialiste kanë qenë kundër përfshirjes së oponencës kolektive në statutin e ri të partisë. Por ky mendim nuk i jep këtu fund debatit për legalizimin e mendimit ndryshe në parti, një çështje që rikthehet për debat sa herë që ka plan për ndryshime të librit të rregullores. Burimet thanë se grupi do të diskutojë mbi idetë dhe platformat që janë hedhur së fundmi nga figura të ndryshme të partisë për të vendosur nëse këtë herë do i hapet dritë jeshile legalizimit të mendimit ndryshe. Grupi i punës në përfundim të gjithë procesit do të hartojë një draft paraprak, proces ky që pritet të përfundojë në periudhën prill-maj, i cili do t’i kalojë për dijeni strukturave drejtuese në bazë. Më pas drafti përfundimtar, do të kalojë për miratim në forumet më të larta vendimmarrëse të PS-së. Duke pasur parasysh se drafti do kalojë së pari për diskutim në kryesi, e mandej në asamblenë kombëtare, relativisht, është zhvillimi i kongresit që është paralajmëruar për në fillim të prillit të shtyhet për në muajin maj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›