Asistenca e ICITAP dhe PAMECA
Policia e Shtetit ka asistencën e misioneve policore të huaja për ristrukturimin e saj dhe trajnimin e personelit. Sipas Burgajt, po hidhen hapa drejt progresit, të domosdoshme këto për përsosjen e mëtejshme bazuar në kërkesat e një shoqërie gjithnjë në emancipim. “Në këtë kontekst, edhe ndryshimet në struktura dhe në personelin e policisë u ideuan e realizuan për të sjellë cilësi më të lartë në Policinë e Shtetit, për të bërë të mundur përzgjedhjen e personelit e për të vlerësuar individët e aftë profesionalisht, si dhe përmbushjen me cilësi të objektivave e detyrave të programuara për Policinë e Shtetit. Për realizimin e ndryshimeve strukturore të policisë, në bashkëpunim dhe me asistencën e misioneve PAMECA e ICITAP, u krye studimi i plotë për veprimtarinë e çdo funksioni në polici. Ky studim bëri të mundur rivlerësimin e burimeve njerëzore, me qëllim fuqizimin e Policisë Kufitare e Migracionit dhe të shërbimeve të tjera specifike të policisë, shkurtimin e aktiviteteve të ruajtjes së objekteve e shtimin e kontrollit të territorit, si dhe shkurtimin e funksioneve mbështetëse dhe rritjen e funksioneve operuese, duke dhënë mundësinë e arritjes së një raporti sa më funksional midis shërbimeve operacionale dhe atyre mbështetëse në Policinë e Shtetit”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Më tej ai deklaroi se asnjëherë më parë ndryshimet strukturore nuk janë bërë në bazë të një studimi real, i cili identifikon nevojat reale në Policinë e Shtetit. Po sipas tij, ndryshimet e kryera në personel, bazuar në fazën e parë të studimit të mësipërm, që kishin si synim vlerësimin e njeriut të aftë profesionalisht dhe të kualifikuar, dhanë dhe rezultatet e pritshme, plogështisë ia zuri vendin vitaliteti dhe efektiviteti i strukturave policore është rritur dukshëm. Për të ilustruar këtë, Burgaj iu referohet treguesve të arritur jo vetëm në goditjen e parandalimin e krimit, ku janë zhvilluar një sërë operacionesh të suksesshme policore në të gjithë vendin, por dhe në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët. Sipas tij, ky proces do të vijojë dhe gjatë këtij viti, ku objektiva parësore të Policisë së Shtetit për 2010 janë përcaktuar: përmirësimi i burimeve njerëzore dhe infrastrukturës për menaxhimin e kontrollit të kufijve sipas kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe realizimi i reformës strukturore në policinë rrugore për të rritur efikasitetin e saj, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
#