Delina, tri legjenda arbërore në TKOB
U shfaq dje në mbrëmje, në sallën e teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, baleti “Delina”. Me muzikë të çesk Zadesë, për koreografinë e “Delinës” u kujdes koreografi Agron Aliaj. Libreti i baletit është ndërtuar në një ndërthurje të personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore, të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejtpërsëdrejti me faktorët historikë dhe shpirtërorë. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pashlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre. Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve, Arbanit dhe Shotit, për të bukurën Delinë; “Rikthimi i Doruntinës” për të mbajtur besën; Nora që lindi vajzë “kundër dëshirës” se përbetuar të atit që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë. Për baletin “Delina”, skenografia dhe kostumet i janë besuar Taulant Pustinës, ndërsa ka drejtuar orkestrën simfonike të TKOB-it dirigjenti Bujar Llapaj. Nën interpretimin e solistëve dhe trupës së baletit të Teatrit të Operës, vepra do të vihet në skenë edhe sot e nesër në mbrëmje.
#