Ndryshimet e urdhëruara në Opera
Reforma: Ikën Mihali, një skenograf në postin e drejtorit ekonomik
Teksa kalendari i shfaqjeve hesht para Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, situata nuk është edhe aq e qetë brenda tij. Që nga dita kur në postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ndodhet Ylli Pango, janë trazuar ujërat në këtë teatër. Ndryshimet sigurisht priteshin. Së pari bordi, tani edhe drejtuesit e institucionit. Me urdhër të ministrit u zgjodh para pak kohësh drejtori i ri artistik. Violincelisti Kujtim Vorpsi zëvendëson sopranon Edith Mihali, një nga emrat më të njohur të operistikës shqiptare. E konsideruar një vlerë për teatrin, Mihali tashmë kryen rolin e konsulentes së drejtorit Zhani Ciko.
Një emër i ri edhe në postin e nëndrejtorit dhe drejtorit ekonomik të teatrit. Bëhet fjalë për skenografin Genc Shkodrani, i cili realizoi skenografitë e disa veprave të shfaqura gjatë vitit të kaluar. Një emër që po spikat në fushën e tij, por që nuk dihet se sa do të mund ta përballojë përgjegjësinë e drejtorit ekonomik në një institucion gjigand si ai i Teatrit të Operës.
E ndërsa ndryshimet vazhdojnë, artistët presin të fillojnë punën e vërtetë. Po mbyllet janari dhe institucioni nuk e ka akoma kalendarin artistik. (Vjet për herë të parë mundi ta kishte një të tillë për të gjithë vitin) Mësohet që bordi të ketë marrë në duar propozimet dhe pritet që të marrë një vendim. Tashmë duket se gjithçka varet nga bordi. Të shprehur hapur se preferojnë më shumë vepra repertori se projekte të reja, është e qartë që kalendari i këtij viti, ndryshe nga 2007-a ka të ngjarë të ketë më shumë rivënie. Përfliten operat "Trovatore", "Madame Buterffly", apo "Berberi i Seviljes". Në pritje të një vendimi, drejtuesit e TKOB-it, improvizuan një stinë koncertore, të titulluar "Koncertet e Dimrit", që vazhdon edhe gjatë muajit shkurt.