Ndryshimet klimatike/ Ngrohja e shpejtë e oqeanit po alarmon shkencëtarët

Ngrohja e ujërave të oqeaneve, kohët e fundit ka alarmuar shkencëtarët pasi kjo do të thotë shtim të ngrohjes globale. Këtë muaj, sipërfaqja globale e detit shënoi një rekord të ri të temperaturës së lartë. Kurrë nuk kishte ndodhur një ngrohje e tillë dhe kaq e shpejtë të cilët shkencëtarët ende nuk po e kuptojnë pse ka ndodhur.
Por ata shqetësohen se, e kombinuar me fenomene të tjera të motit, temperatura në botë mund të arrijë një nivel të ri shqetësues deri në fund të vitit të ardhshëm.
Ekspertët besojnë se një fenomen si El Nino, që ngroh oqeanin, do të shfaqet gjatë muajve të ardhshëm.
Ngrohja e oqeaneve mund të shkaktojë shfarosjen e jetës nënujore, rritje të nivelit të detit dhe në një mot më ekstrem. Ato janë, gjithashtu, më pak efikasë në thithjen e gazeve serrë që ngrohin planetin.
Një studim i ri i publikuar javën e kaluar nxjerr në pah një zhvillim shqetësues.
Sipas studimit, gjatë 15 viteve të fundit, nxehtësia e akumuluar e Tokës është rritur me 50%, dhe shumica e kësaj nxehtësie shkon në oqeane. Kjo ka pasoja reale në botë jo vetëm që temperatura e përgjithshme e oqeaneve arriti një rekord të ri në prill të këtij viti, por në disa rajone diferenca nga temperatura afatgjatë ishte e madhe.
Në mars, temperaturat e sipërfaqes së detit në brigjet lindore të Amerikës së Veriut ishin deri në 13.8C më e lartë se mesatarja e viteve 1981-2011.
“Ende nuk është përcaktuar mirë pse një ndryshim kaq i shpejtë dhe një ndryshim kaq i madh po ndodh” tha Karina Von Schuckmann, autorja kryesore e studimit të ri dhe shkencëtare që studion aspektet fizike dhe biologjike të deteve në grupin kërkimor “Mercator Ocean International”, citon BBC.
“Ne kemi dyfishuar nxehtësinë në sistemin klimatik në 15 vitet e fundit, nuk dua të them se ky është ndryshim klimatik, variabilitet natyror apo një përzierje e të dyjave, nuk e dimë ende. Por e shohim këtë ndryshim “, thotë ajo.
Një faktor që mund të ndikojë në nivelin e nxehtësisë në oqeane është ai i reduktimit të ndotjes nga transporti detar.
Në vitin 2020, Organizata Ndërkombëtare Detare vendosi një rregullore për të reduktuar përmbajtjen e squfurit në karburantin e djegur nga anijet. Kjo ka pasur një ndikim të shpejtë, duke reduktuar sasinë e grimcave të aerosolit të lëshuara në atmosferë.
Por aerosolët që ndotin ajrin gjithashtu ndihmojnë në reflektimin e nxehtësisë në hapësirë – largimi i tyre mund të ketë shkaktuar më shumë nxehtësi të hyjë në ujëra.
Temperatura mesatare e sipërfaqes së deteve të botës është rritur me rreth 0.9C krahasuar me nivelet paraindustriale, me 0.6C që ka ardhur vetëm në 40 vitet e fundit.
Kjo është më pak se rritja e temperaturave të ajrit mbi tokë, të cilat janë rritur me më shumë se 1.5C që nga koha paraindustriale, kjo është për shkak se nevojitet shumë më tepër energji për të ngrohur ujin sesa tokën, dhe sepse oqeanet thithin shumë nxehtësinë shumë më poshtë sipërfaqes së tyre.
Po cilat janë ndikimet e ngrohjes së oqeanit?
Humbja e specieve nënujore, sidomos brezin koralor.
Rritja e nxehtësisë në sipërfaqen e sipërme të oqeanit do të thotë që uraganet dhe ciklonet mund të marrin më shumë energji. Kjo do të thotë se ato bëhen më intensive dhe kanë shtrirje më të gjatë kohore.
Rritja e nivelit të detit
Ujërat më të ngrohta zënë më shumë hapësirë (e njohur si zgjerim termik) dhe mund të përshpejtojnë në masë të madhe shkrirjen e akullnajave në Grinlandë dhe Antarktidë që derdhen në oqeane. Kjo rrit nivelet globale të deteve, duke rritur rreziqet e përmbytjeve bregdetare.
Më pak aftësi për të thithur CO2.
Oqeanet aktualisht marrin rreth një të katërtën e emetimeve të gazeve serrë. Ujërat më të ngrohtë kanë më pak aftësi për të thithur CO2. Nëse oqeanet marrin më pak CO2 në të ardhmen, më shumë do të grumbullohen në atmosferë duke ngrohur më tej ajrin dhe oqeanet.
/rtsh.al/