E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet kushtetuese? Berisha: Rama e “ka” Topin

Ideja e hedhur nga kreu socialist, ka marrë sërish përgjigje negative nga kryeministri Sali Berisha, shefi i mazhorancës. Sipas tij, qeveria është e vendosur për të zbatuar dhe respektuar deri në fund Kushtetutën.

 "Ajo që mund të këshilloja është që të merren me statutin e PS-së, pasi kjo do të ishte ndihma më e madhe që mund ti japin partisë së tyre meqenëse kanë vendosur të konsumojnë gushtin me problematika", tha Berisha në një konferencë shtypi.

 I pyetur nëse do ketë oferta të reja për PS-në sikurse zgjedhja e një presidenti konsensual në 2012, përveç asaj për reformën zgjedhore, shefi i qeverisë tha se, ofertë për opozitën mbetet vetëm respektimi i Kushtetutës.

"Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë për interesin e mazhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar, respektimi i Kushtetutës së vendit. Ju e shihni se z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan”, tha Berisha.

Sipas tij, “Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta. Këta që pendohen bëjnë mirë që pendohen, por kur të takon shumë herë të pendohesh, kthehesh në pendesë”. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-07-28 16:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›