Ndryshimet kushtetuese, mblidhet Këshilli i Legjislacionit! PD bojkoton

Opozita për të tretën herë ka bojkotuar mbledhjen Këshillit të Legjislacionit që po diskuton propozimin e Partisë Socialiste për ndryshime kushtetuese zgjatjen e afateve të vettingut. Pavarësisht mungesës së opozitës, maxhoranca ka vijuar me mbledhjen duke dëgjuar ekspertët.
Juristi dhe pedagogu, Fabjan Topollaj, tha se me kalimin procesit nga KPK në KLGJ e KLP cenohet besueshmëria e procesit. Sipas tij mungesa e rolit të ONM-së në këtë proces në një rast kur të gjithë procesin e marrin organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë e bën atë më të pabesueshëm në sytë e publikut.
Edhe pse mbledhja e fundit e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me debate të shumta mes socialistëve, pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias për ndryshime kushtetuese për zgjatjen e afateve të institucioneve të vettingut janë nisur.
Pavarësisht mungesës së opozitës, maxhoranca ka vijuar me debate brenda vetes. Kuvendi në përfundim vendosi me shumicë votash që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion. Gjatë votimit, Xhafaj abstenoi, dhe u shpreh se i qëndron deklaratave të bëra në mbledhjen e parë të këshillit.