E Enjte, 5 Nëntor 2026

Berisha: Basha “miratoi” borxhin 700 milionë euro, e kanë marrë peng

“Foltorja” e Sali Berishës këtë të martë u zhvendos në Pogradec. Ish-kryeministri e nisi fjalën e tij duke sulmuar kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzoi si të lidhur me mafien. Korrupsioni është shtrirë në çdo segment të shtetit, tha Sali Berisha, ndërsa pranoi se korrupsion kishte edhe gjatë qeverisjes së tij.

“Ka patur korrupsion edhe më parë, por tani korrupsioni është në çdo zyrë. Për të luftuar korrupsionin, zvogëlohet qeveria. Në vendin tonë numri i zyrtarëve është dyfishuar. Numri i agjencive është dyfishuar”, tha Berisha.

Duke folur për borxhin e ri që do marrë qeveria,  Berisha përmendi edhe vendimin e Lulzim Bashës për të abstenuar në Kuvend, duke e quajtur një “fake opozitë”.

“Në 8 vite Rama e ka çuar në 100% borxhin, ndërsa ekonomia shqiptare ka rrezik të shembet si një piramidë. Borxhi kur merret nuk paguhet nga kryeministri, por nga ju. Këtë vit ai mori 700 mln euro borxh. Por kryetari pa parti urdhëroi për abstenim lidhur me këtë borxh. A mund të abstenoi opozita për një borxh të tillë? Vetëm nëse është e marrë peng. Këtë e bën vetëm “fake opozita””, tha Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›