E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet ndaj shqiptarëve Haga jep 27 vjet burg ish-zyrtarin serb

HAGE-Dhoma Gjyqësore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka shpallur fajtor ish-zyrtarin e lartë të policisë serbe, Vllastimir Gjorgjevic, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë kosovarë më 1999. Gjorgjevic është dënuar me 27 vjet heqje lirie.

Ai ka qënë ndihmës i ministrit të Brendshëm serb, në regjimin e Sllobodan Millosheviçit, kur forcat serbe luftuan kryengritjen shqiptare në Kosovë. Akuzat kishin të bënin me konfliktin e viteve 90 në Kosovë.
Gjykatësit hodhën poshtë pretendimin e Gjorgjevicit se ai nuk kishte kontroll efektiv mbi përdorimin e forcave të MPB-së në Kosovë, sepse ministri Stojilkovic e kishte përjashtuar prej këtij kontrolli.

Gjorgjevici është shpallur fajtor për krime në formën e dëbimeve, vrasjeve, transferimit të dhunshëm dhe përndjekjeve të kryera në 13 komuna: Rahovec, Prizren, Skënderaj, Suharekë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Deçan dhe Vushtrri.

Gjykata konkludoi se Gjorgjevici mban përgjegjësi për vrasjen e “jo më pak se 724 shqiptarëve kosovarë”, të cilët u vranë nga forcat serbe.

Si ndihmës i ministrit të Brendshëm serb dhe kreu i Departamentit për Sigurinë Publike, mes viteve 1997-2001, prokurorët pretendojnë se ai ka luajtur një rol kyç në një ndërmarrje kriminale të përbashkët për të vrarë qindra shqiptarë të Kosovës dhe për të shpërngulur rreth 800 mijë vetë nga shtëpitë e tyre.

Gjorgjevici që ka qënë prej vitesh në arrati, u kap në 2007. Ai sipas prokurorëve ka qënë i përfshirë në krime, sepse kanë patur kontroll mbi njësitë serbe që operonin në Kosovë. Rreth 100 dëshmitarë kanë dalë në gjyqin e gjatë, ku prokurorët kanë kërkuar një dënim nga 35 vjet deri në burgim të përjetshëm, por Haga caktoi 27 vjet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›