Rama: Pezullim ose largim nga detyra për mësuesit që nxisin përfshirjen e nxënësve në tubime

TIRANË, 25 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Kodi i Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar parashikon pezullimin ose largimin nga detyra kur ata nxisin pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime.
Rama theksoi se shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët.
Ndaj sipas tij, nëpërmjet Kodit të Etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo natyre, në kundërshtim me interesin e tyre e me pritshmërinë e prindërve.
“Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës”, theksoi ai.
Masa, sipas tij, natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë.
“Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve”, bëri të ditur kryeministri. /j.p/