E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në Kushtetutë, PD-ja e përjashton nenin e Presidentit

TIRANË Edhe pse deri më tani nga Partia Socialiste nuk ka asgjë zyrtare, se në cilat pika duhet ndërhyrë në Kushtetutë, paraprakisht nga ekspertë dhe juristë pranë PS-së është hedhur ideja e ndryshimit të atij neni të Kushtetutës që lidhet me zgjedhjen e Presidentit. Variantet që qarkullojnë përfshijnë zgjedhjen e Presidentit vetëm me shumicë të cilësuar, ose miratimin e tij me votë nga populli. Por kjo nuk i ka pëlqyer aspak mazhorancës, e cila ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur vetë Presidentin e ardhshëm në vitin 2012, falë ndryshimeve të ndërmarra në Kushtetutë në vitin 2008. Në bazë të Kushtetutës, Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Një formulë e tillë e miratuar në vitin 2008, falë kompromisit PS-PD, është konsideruar nga partia në pushtet si mjaft e përshtatshme, duke theksuar se vitin e ardhshëm do të zbatohet pikë për pikë. Kjo është e vetmja çështje për të cilën demokratët shprehen qartazi, ndërkohë që nuk ka një qëndrim po aq përfundimtar nëse ata do të pranojnë propozime të tjera, që mund të ofrojë opozita lidhur me ndryshimet në Kushtetutë. Dy ditë më parë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimeve në Kushtetutë, por theksoi se për këtë çështje duhet një konsensus sa më i gjerë.

Neni 87

(Ndryshuar me ligjin nr.9404, datë 21.4.2008, neni 5)

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.

Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›