E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Për ndryshimet kushtetuese do të flas me dekret

Presidenti i Republikës vlerëson raportin për zgjedhjet: “Nuk mund të shkojmë në Europë pa dhënë në mënyrë të qartë idenë që shqiptarët, klasa politike, partitë politike dinë të bashkëpunojnë dhe dinë të prodhojnë jo vetëm ligje, por edhe marrëveshje, por edhe detyrime që vijnë nga raporti i Komisionit Europian”

TIRANË Në fillimin e turit disaditor në bregdetin e Jugut, presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vlerësuar me nota shumë realiste raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në përfundim të vizitës së tij të punës në Bashkinë e Himarës, Topi iu përgjigj interesimit të medias lidhur me raportin e fundit për zgjedhjet, duke theksuar se është jetike bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës. “Kur kjo pyetje bëhet në Himarë, është shumë interesante. Natyrisht që ne e kemi ndjekur hap pas hapi. Ka qenë një verë disi e veçantë, kur çdo ditë politika ka qenë aktive, ndryshe nga vitet e tjera. Kemi vlerësuar me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it dhe ajo shkon në vijueshmëri të të gjitha apeleve që janë dhënë vazhdimisht për politikën shqiptare. Unë nuk dëshiroj të merrem më me komente, sepse këto komente kanë qenë shumë të qarta në raport, por do të dëshiroja t’i kujtoja politikës shqiptare, në radhë të parë politikës parlamentare, që sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës”, - tha dje Topi. Kreu i shtetit theksoi se nga ky raport dalin mjaft gjëra të cilat në radhë të parë ai çmon se janë detyrim për partitë politike.

Ndryshimet kushtetuese

Edhe pse u shpreh se nuk do të bëhet pjesë e debatit për ndryshimet kushtetuese, kreu i shtetit shtoi se për këtë çështje do të flasë vetëm përmes dekretit, në rast se do të vendosin partitë politike. “...Unë jam deklaruar që Presidenti nuk do të futet për asnjë moment në çështjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese. Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij, e ka të drejtën, nëse kjo del në planet e partive politike, për ta diskutuar për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por edhe në retrospektivë, edhe kur partitë politike kanë vendosur që të bëjnë ndryshimet kushtetuese, ju siguroj që nuk e kanë pyetur Presidentin. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen Presidenti të mos mbajë qëndrimin e tij institucional, konstitucional. Pra, është në të drejtën e partive politike për ta mbajtur të gjallë debatin, ose jo, është një çështje e tyre”, - tha Topi, duke u përpjekur të përcjellë te mediat një tjetër mesazh që ai e konsideron të rëndësishëm, pikërisht domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes partive politike. “Nuk mund të shkojmë në Europë pa dhënë në mënyrë të qartë idenë që shqiptarët, klasa politike, partitë politike dinë të bashkëpunojnë dhe dinë të prodhojnë jo vetëm ligje, por edhe marrëveshje, por edhe detyrime që vijnë nga raporti i Komisionit Europian”, - tha ai. Prej kohësh, Partia Socialiste ka konsideruar si të nevojshme ndryshimin e dokumentit themeltar të shtetit, duke hedhur për diskutim edhe ndryshimin e atij neni që lidhet me zgjedhjen e Presidentit. Deri më tani kreu i shtetit është shprehur se nuk do të bëhet pjesë e këtij debati, por dje për herë të parë ai paralajmëroi se për këtë çështje mund të ketë një iniciativë nga të dyja palët, teksa shtoi se ai do të flasë vetëm atëherë kur drafti të miratohet nga partitë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›