Starova: Presidente femër? Shanset janë të barabarta
Kryetari i PBLD-së, Arjan Starova, deklaroi dje se është koha që Shqipëria të provojë në drejtimin e saj një presidente femër: “Gjithmonë do të jetë mundësia, shanset janë të barabarta, si për femrat dhe për meshkujt”
TIRANË Aleatët e Partisë Demokratike shtojnë zërat për mundësinë e kandidimit të Jozefina Topallit në krye të Presidencës, vitin që vjen. Pas Zef Bushatit, kreu i Partisë Aleanca Demokristiane, i cili ka propozuar publikisht kandidaturën e Topallit, një tjetër aleat i PD-së në nivel zv-ministror, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, nuk përjashton mundësinë që kandidatura për kreun e shtetit të jetë femër. Kryetari i PBLD-së, Arjan Starova, deklaroi dje se është koha që Shqipëria të provojë në drejtimin e saj një presidente femër. “E rëndësishme është që ky vend ka kandidatura. Nuk ka vetëm një ose dy, por ka shumë kandidatura, të cilat mundet që të përfaqësonin vërtet me dinjitet Presidencën shqiptare në pesë vitet që vijnë. Gjithmonë do të jetë mundësia, shanset janë të barabarta si për femrat dhe për meshkujt”, - tha Starova. Pak ditë më parë kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane, Zef Bushati, deklaroi publikisht se do të lobonte brenda së djathtës për të zgjedhur Jozefina Topallin në krye të Presidencës. Deklarata e Bushatit në fakt erdhi një ditë pasi një tjetër demokristian, tashmë drejtues i një partie tjetër, Nard Ndoka, propozoi publikisht kandidaturën e Bamir Topit. Ndoka u shpreh se do t’i kërkonte Partisë Socialiste që të mbështeste këtë kandidat në votimin për kreun e ri të shtetit, korrikun e vitit 2012. Nga Partia Socialiste ende nuk ka patur reagim në lidhje me emrin e kandidatit për President apo rreth faktit nëse do të mbështetet rikandidimi i Topit apo jo për një mandat të dytë. Ndërkohë që në kampin tjetër loja po fillon nga aleatët të cilët po fillojnë të qartësojnë pozicionet e tyre lidhur me një kandidim të mundshëm të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit, në një intervistë televizive, e pyetur nëse do të ishte kandidate për Presidente, u shpreh se ishte e parakohshme përgjigjja. E vetmja gjë e sigurt nga Partia Demokratike është se ata nuk do të propozojnë për një mandat të dytë kreun aktual të shtetit, Bamir Topi. Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një lum akuzash ndaj tij, ndërkohë që nuk kanë qenë të paktë edhe eksponentë të tjerë të rëndësishëm të kësaj partie, si Jozefina Topalli apo Sokol Olldashi, në qëndrimet e tyre kritike ndaj punës së Presidentit.