E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BB: Menaxhimi i borxhit publik, një nga pikat më të forta të qeverisë “Berisha”

24-08-2011 / Gazeta 55

Drejtori i Menaxhimit të Borxhit, në ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, në një prononcim për mediat ka theksuar se menaxhimi i borxhit publik, është një nga pikat më të forta të qeverisë shqiptare. Duke shtuar gjithashtu se kjo është përforcuar edhe nga agjencia e vlerësimit të riskut Moody’s. “Menaxhimi i borxhit publik është me siguri një nga pikat më të forta të qeverisë shqiptare”- shprehet Demiraj.
Ai nënvizon më tej se ky konfirmim është bërë së fundmi në raportin e Bankës Botërore, ku vlerësohet se mekanizmat e menaxhimit të borxhit publik shqiptar rezultojnë të suksesshme.
Drejtori i Menaxhimit të Borxhit, në ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, bën me dije se një fakt i tillë është përforcuar edhe nga vlerësimet e agjencisë së vlerësimit të riskut Moody’s. Sipas Demiraj, qeveria shqiptare është zotuar ta ulë borxhin publik në të ardhmen. Aktualisht, ky borxh është rreth 59.4 për qind ose në vlerë normale 720 miliardë lekë të reja të prodhimit të brendshëm Bruto.
Ai sqaron gjithashtu se përbërja e këtij borxhi është pozitive. Sipas menaxhuesit të borxhit publik, Shqipëria ka marrë hua për të zhvilluar investime të mëdha, të cilat tashmë janë realizuar.
Sipas parashikimeve makro-ekonomike dhe fiskale për vitet e ardhshme, qeveria parashikon të ulë borxhin në nivelin e 58 për qind, në vitin 2014.

Moody’s: Menaxhimi i borxhit, i qëndrueshëm

“Moody-s ka rikonfirmuar vlerësimin e borxhit shqiptar në B1, me perspektivë të qëndrueshme”. Kështu raporton agjencia e vlerësimit të riskut, njëra nga dy kompanitë ndërkombëtare që vlerësojnë në mënyrë periodike riskun e vendit tonë, Moody-s, duke vlerësuar suksesin e reformave strukturore, të privatizimeve të suksesshme, të politikave fiskale suportive, dhe veçanërisht të rritjes ekonomike të lartë, të qëndrueshme, dhe me inflacion të ulët që ka demonstruar ekonomia shqiptare gjatë viteve të fundit. Në raportin e fundit mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe cilësinë e borxhit publik të Shqipërisë, Moody-s raporton se menaxhimi i borxhit publik është i qëndrueshëm. Moody’s ka filluar vlerësimin periodik të riskut të Shqipërisë që në vitin 2007, dhe ky publikim është i pesti në radhën e vlerësimeve. Në të gjitha raportet e Moody’s, përfshirë dhe këtë të fundit, vlerësimi i riskut të vendit tonë ka qenë në nivelin B1. Ky vlerësim konsiderohet i njëjtë me nivelin B+ të kompanisë tjetër ndërkombëtare të vlerësimit, Standard & Poor’s. Karakteristika kryesore e vlerësimit të Moody’s është cilësimi si ‘stabël’ i riskut të vendit. Shqipëria është një nga vendet e rralla që nuk pësoi një zhvlerësim të vlerësimit gjatë viteve të krizës financiare. Moody’s vlerëson pozitivisht qëndrueshmërinë dhe soliditetin e sektorit financiar, i cili çmohet si shumë mirë i kapitalizuar dhe i supervizuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›