E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndryshimet në buxhet, Denaj: Stimuj të nevojshëm fiskalë për rimëkëmbjen e ekonomisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ndryshimet në buxhetin për vitin 2021 erdhën nga nevoja e krijimit të hapësirave fiskale për të mbështetur financimin e disa politikave prioritare.

Gjatë diskutimit në Komisionin parlamentar të Ligjeve, të 2 akteve normative që lidhen me buxhetin e këtij viti, Denaj tha se ndryshimet e propozuara synojnë të ofrojnë stimuj të nevojshëm fiskal në krahun e shpenzimeve buxhetore në kuadër të masave të marra për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Denaj bëri të ditur se ndryshimet e propozuara nuk prekin treguesit e të ardhurave buxhetore të cilët nuk kanë pësuar ndryshime. Kjo, nisur nga ecuria pozitive e të ardhurave buxhetore të realizuara për 6-mujorin e parë 2021 dhe pritshmëria gjithashtu pozitive e realizimit të tyre në nivel vjetor.

Sipas Aktit Normativ shpenzimet e buxhetit të shtetit rriten me 10 miliardë lekë, duke shkuar nga 459 miliardë lekë në 469 miliardë lekë.

Akti Normativ parashikon rritjen me 2 miliardë lekë të Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e fushatës së vaksinimit antikovid, në masën 1 miliard lekë.

Ndërsa do të financohet edhe projekti prioritar i Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë në vlerë 1 miliard lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.

Përmes rishikimit është siguruar edhe fondi prej 900 milionë lekësh, si transfertë specifike për bashkinë Tiranë, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Transporti rrugor po ashtu do të financohet me 4.8 miliardë lekë shtesë, ku përfshihen hapja e loteve të reja për ndërtimin e segmentit rrugor “Unaza Veriore Tiranë”, ndërtimi i segmentit rrugor “Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale të Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet mbi planin buxhetor të miratuar për vitin buxhetor 2021.

1 miliard lekë shtesë do të shkojnë për vijimin e punimeve për bajpasin e Vlorës. Ndërkohë edhe bujqësia do të ketë një mbështetje në programin IPARD II prej 1 miliard lekësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›