E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në kod, misioni i pamundur i Metës

Në Kuvendin e ardhshëm duhen 84 vota për ndërhyrjet në kod dhe 94 për Kushtetutën


PD-LSI nuk ndryshojnë dot kodin pa konsensusin e PS-së, kanë vetëm 74 vota


TIRANË - Drekat dhe darkat mes Berishës dhe Metës, nga Pogradeci në Dhërmi, ku po ndahet "torta" qeverisëse për 4 vitet e ardhshme, shoqërohen me deklarata publike të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, se do plotësojë çdo kusht të LSI-së për sa i takon Kodit Elektoral.


Madje, burimet thonë se ka edhe një skenar për të bërë ndërhyrje në dy faza të ndryshme në kod, një për zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe një për parlamentaret e 2013-ës.


Por, pavarësisht këtij premtimi publik për të siguruar 84 vota, Berisha është i sigurt se ndërhyrjet në kod mund t'i bëjë vetëm me konsensusin dhe votat e Partisë Socialistë. Kjo pasi PD-ja dhe LSI-ja së bashku kanë vetëm 74 kartonë në Kuvendin e ardhshëm, gjë që e bën të pamundur plotësimin e kërkesës së Metës.


Kodi, faza e parë


"Në rast se do të ketë nevojë për të futur më tej në Kodin Zgjedhor elemente besimi, për ta bërë akoma më pak vulnerabël procesin zgjedhor, edhe kjo mund të bëhet",- deklaroi hartuesi i Partisë Demokratike i kodit elektoral për Zgjedhjet e 28 qershorit, Oerd Bylykbashi.


Sipas tij, nuk ka recetë për të zëvendësuar mungesën e vullnetit politik nga një subjekt i rëndësishëm, siç në këtë rast është partia më e madhe e opozitës. Zotimi parësor i demokratëve para LSI-së është për të bërë ndryshime hap pas hapi në Kodin Zgjedhor.


Faza e parë pritet të përfshijë propozimin e Metës, për të marrë një anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si edhe anëtarin e tretë në qendrat e numërimit të votave. Ky është premtimi i parë që Kryeministri Sali Berisha jep me aq siguri kundrejt LSI-së.


Por, përpos deklaratave, qoftë zyrtare ashtu edhe informale të kreut të PD-së, dy partive qeverisëse u duhen minimalisht 10 vota të socialistëve, ç'ka e bën të pamundur këtë votim, nëse konsensusi nuk arrihet mes dy partive më të mëdha.


Këtij fakti të pakontestueshëm, vetë Kryeministri Sali Berisha nuk mund t'i shmanget, duke pranuar në qëndrimet e tij se do të "luftojë" për të bërë 84 vota në Parlament, për të ndryshuar Kodin, me argumentin se kjo është "në interesin më të mirë të stabilitetit të vendit".


Kodi, faza e dytë


Por, ndërsa PD-ja dhe LSI-ja nuk kanë asnjë garanci për të finalizuar fazën e parë për ndryshime në kod, pa votat e PS-së, duket se kanë menduar që tani edhe për fazën e dytë.


Një nga kushtet kryesore të LSI-së, por edhe partive të tjera të vogla, është korrektimi kombëtar i sistemit. Por, kjo fazë e dytë arrihet vetëm pas ndërhyrjes në Kushtetutën e Shqipërisë, ç'ka kërkon më shumë vota se ndryshimet në kod, minimalisht 94.


"Unë besoj që korniza është e përcaktuar mjaft mirë në Kushtetutë në lidhje me këtë sistem. Dhe ky sistem është përcaktuar në Kushtetutë, si një sistem ku mandatet ndahen në nivel qarku", -sqaron eksperti demokrat, Bylykbashi.


Kjo fazë e dytë, sipas burimeve nga PD-ja, është menduar që të realizohet në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, ndërsa testi i parë, ajo se çdo të ndodhë me anëtarin e KQZ-së dhe komisionerin e tretë që pretendon LSI-ja, pritet të jetë i afërt, pavarësisht se nuk ka asnjë shans të realizohet pa konsensusin e PS-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›