Privatizimi i OSSH-së, kontrata të reja me konsumatorët
Kontratat e reja midis CEZ-it dhe konsumatorëve, shihen si rruga e vetme e një marrëdhënieje korrekte midis palëve
TIRANË - Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke CEZ, i ka hapur rrugën një diskutimi të gjerë në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët, duke filluar që nga një janari 2010.
Ndërkohë, ashtu si edhe çmimi me të cilin do t'u duhet ta blejnë shqiptarët energjinë në fillim të vitit të ardhshëm, një çështje tjetër e marrë në shqyrtim nga Enti Rregullator i Energjisë ka të bëjë me kontratat që CEZ-i duhet të rilidhë me çdo konsumator shqiptar.
Altin Goxhaj, Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, shpjegon arsyet se përse është e domosdoshme që pas privatizimit, CEZ-i duhet të lidhë kontrata të reja me konsumatorët. "Kontratat që kishte lidhur OSSH-ja me qytetarët kanë qenë të njëanshme.
Tashmë kemi të bëjmë më një investitor privat, i cili me të drejtë është i prirur që të dalë me fitim nga kjo marrëdhënie. Për këtë arsye, është e nevojshme që të lidhen kontrata të reja midis CEZ-it dhe qytetarëve, në të cilat të përcaktohen qartë detyrimet dhe të drejtat e të dyja palëve, të riformuluara në bazë të Kodit Civil dhe ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Po ashtu, është e domosdoshme organizimi i një seance dëgjimore, e cila të trajtojë nevojën e riformulimit të kontratave", - tha Goxhaj.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, kontrata është në fazë shqyrtimi midis specialistëve të saj dhe kompanisë. Në përfundim të këtij procesi, kompania CEZ do të bëjë propozimet e saj, ndërsa do të jetë ERE-ja, ajo që do të vendosë standardet e cilësisë së shërbimit të furnizimit dhe të sigurisë për konsumatorët.
Lidhja e kontratave të reja midis pronarëve të rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe konsumatorëve, shihet si rruga e vetme e një marrëdhënieje korrekte midis palëve, ndërsa pritet që brenda këtij muaji, CEZ-i të paraqesë propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike pranë ERE-s.