Ndryshimet në ligjin e SHISH-it "zbresin" në Kuvend
Ndërkohë, Kuvendi pritet t’i marrë në shqyrtim këto ndryshime në seancën parlamentare të 18 shkurtit. Projektligji parashikon kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH-it në 5 vjet, me të drejtë riemërimi. Ndryshimet e propozuara në ligj përfshijnë dhe Kuvendin në procedurën e përzgjedhjes së kryetarit të Shërbimit Informativ. Sipas draftit, kryeministri, pasi propozon kandidaturën, do të marrë për të parën herë edhe mendimin e komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Më pas, propozimi i kreut të Qeverisë do i kalojë Presidentit të Republikës, i cili, vetëm në bazë të propozimeve të kryeministrit emëron dhe shkarkon drejtorin e SHISH. Një vit më parë, Kuvendi, me propozim të maxhorancës përcaktoi një mandat 5-vjeçar për Prokurorin e Përgjithshëm, ndërkohë që tashmë ligji do të ndërhyjë për të kufizuar edhe mandatin e kreut të SHISH. Kryeministri Sali Berisha që është prononcuar disa herë për këtë draftligj ka theksuar se qëllim kryesor i tij është lufta kundër mafies dhe krimit. "Ligji për SHISH do të amendohet në mënyrë që të përshtatet plotësisht me kushtet e reja të luftës kundër mafies", është shprehur kryeministri Berisha. Ndërkohë, nga ekspertët projektligji është vlerësuar pozitivisht për pikën e tij më të rëndësishme: përcaktimi i mandatit të Drejtorit të SHISH-it, një institucion shumë i rëndësishëm në demokraci. Amendimet e këtij ligji, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, miratohen në Kuvend me 71 vota. Sipas këtij ligji, një vendim i Kushtetueses e saktëson ligjin për SHISH, lidhur me emërtesën, duke e konsideruar atë organ jokushtetues.