E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në qeveri, Halimi ministër i Drejtësisë, Bumçi i Kulturës

(E PERDITESUAR)- Me një njoftim të shkurtër, kryeministri Sali Berisha ka shpallur dy emrat që do zënë postet vakant në qeveri. Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi pritet të hyjnë në kabinetin e ri, i pari në postin e Ministrit të Drejtësisë dhe i dyti në postin e Ministrit të Kulturës. Në këtë mënyrë Berisha e ka mbyllur shpejt debatin që kishte nisur për ndryshimet në qeveri. Kryeministri Sali Berisha i propozoi Presidentit të Republikës Bamir Topi  dekretet për emërimin e dy ministrave të rinj në kabinetin qeveritar. Kryeministri propozon emërimin e zotit Eduard Halimi në postin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe shkarkimin e zotit Ferdinand Xhaferaj nga detyra e Ministrit tëTurizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe emërimin në këtë detyrë të z. Aldo Bumçi, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në të vërtetë ishte spekuluar shumë për formulën e ndryshimeve në qeveri. Partia e çamëve, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi kishte bërë presion të fortë për të hyrë në kabinet, sidomos pas rezultateve në zgjedhjet e fundit lokale. PDIU pretendon se ka dalë parti e dytë në vend, për shkak se ka arritur të marrë disa njësi vendore, ndryshe nga LSI, e cila mburret vetëm me vota këshilltare. E duke qenë se kryeministri Sali Berisha ka deklaruar disa herë se fitorja e madhe plebishitare e këtyre zgjedhjeve ishte një fitore e koalicionit, PDIU shpresonte, por duket se ka qenë më kot.

Po ashtu u përfol për një rikthim të Metës në kabinet, duke u supozuar se Gjykata e Lartë do e mbyllte çështjen e tij shumë shpejt për shkak të shkeljes së procedurave nga ana e prokurorisë. Por nuk ka ndodhur kështu dhe LSI sërish do ngelet me ato poste që kishte.

Por cilët janë ministrat e rinj?

Dy personazhe pa ngjyrë të jetës politike në Shqipëri, të njohur si marioneta në duart e fëmijëve të Berishës, ata janë vendosur në ato detyra për të qenë lodra të bindura.

Aldo Bumçi është kryetari i PD i Tiranës, dhe ndoshta Berisha do e përdorë në debatin publik faktin që ai ndihmoi në fitimin e zgjedhjeve në Tiranë. Megjithatë në karrierën e tij i vetmi kulm ka qenë një faks i dërguar nga ai në emër të Shkëlzen Berishës, për të përgatitur terrenin për ngritjen e Fabrikës së Vdekjes në Gërdec. Më pas ai thjesht ka lexuar çfarë i ka dhënë dhe nuk ka bërë ndonjë gjë tjetër.

Nga ana tjetër, Eduard Halimi, një ish-zëvendësministër i Drejtësisë, doli në pah pas ngjarjeve të 21 janarit, kur drejtoi një komision hetimor parlamentar. Puna e komisionit u kritikua nga ndërkombëtarët, ndërkohë që asnjë raport përfundimtar nuk u përgatit nga ky komision. Prokurorja e Përgjithshme mori pjesë në një nga seancat e dëshmive para këtij komisioni, por vetëm sa për tu thënë në sy deputetëve që ajo nuk mund të fliste për një ngjarje që po hetohej nga institucioni i saj.

Nuk dihet nëse Berisha do e rihapë më çështjen e ndryshimeve në qeveri, por duket se ai me këto ndryshime i ka vënë vulën qeverisë e njëkohësisht ka mbytur të gjitha pakënaqësitë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›