Shkëndija- Partizani, masa të forta sigurie në Shkup
Për shkak të interesimit për ndeshjen midis Shkëndijës nga Tetova dhe Partizanit të Beogradit që do të zhvillohet sonte, në orën 20.45, në arenën kombëtare “Filipi i Dytë” në Shkup, ministria e Punëve të Brendshme maqedonase ka ndërmarrë më shumë masa sigurie.
Është përgatitur plan i veçantë për sigurimin fizik dhe të atë të komunikacionit, ndërsa masat dhe aktivitetet do të zhvillohen në tri faza – para fillimit, gjatë ndeshjes dhe pas përfundimit të ndeshjes.
Siç njofton MPB, është formuar shtabi operativ i cili do të jetë i angazhuar për ndjekjen dhe koordinimin e masave dhe aktiviteteve të të gjitha shërbimeve përmes qendrës për monitorim.
Pas arritjes së ekipit të “Partizanit” dhe një pjese të përfaqësuesve të mediave serbe në aeroportin e Shkupit, dje ata në hotelet ku qëndrojnë janë shoqëruar nga policët.
Sot do të ketë edhe regjim të posaçëm të komunikimit në rrugët në afërsi të Parkut të Qytetit.(INA)