E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në qeveri, makiazh

Arben Malaj, i konsideron të padobishme ndryshimet në qeveri, nëse kryeministër do të vazhdojë të jetë, Sali Berisha. Në një prononcim për “Korrierin” ai shprehet se shumica e shqiptarëve kërkon largimin e Sali Berishës, ndërsa edhe procesi i integrimit do të përshpejtohej falë dorëheqjes së kryeministrit, pasi bashkëpunimi politik do të ishte edhe më i madh. Për anëtarin e kryesisë së PS-së, opozita i mëshon largimit të kreut të ekzekutivit shqiptar ndërsa ndryshimet në qeveri, siç i cilëson ai, janë thjesht “makiazh”. “Nuk besoj se ndryshimet e thella në qeveri një vit përpara përfundimit të mandatit të sjellin një efiçencë reale. E nëse do të jenë të thella për nga përmasat, nuk jam i sigurt për nga cilësia. Së dyti, pavarësisht nga ndryshimet të cilat në këtë rast marrin më tepër trajtën e një makiazhi sesa të një ristrukturimi. Është e vështirë, cilitdo qofshin emrat konkretë të ndryshimeve të atyre që ikin apo atyre që vijnë, të kenë atë impakt publik sa publiku të hezitojë të bëhet pjesë e një qëndrimi që duket se ka mbështetje të madhe publike në kërkesën për largimin e kryeministrit”- argumenton Arben Malaj, ndërsa beson se qëndrimi i opozitës do të jetë unik duke pasur në fokus dorëheqjen e kryeministrit. Ish-ministri i Financave, gjatë qeverisjes së socialistëve, mendon që edhe nëse ministrat e rinj të jenë të aftë, falë administratës së paaftë dhe tepër militante, do ta kenë të vështirë të nxisin reforma të thella. Në krahun tjetër, sipas Malajt, marrja e ftesës në NATO ka përcjellë mesazhin se ftesa është vetëm fillimi i proçesit të anëtarësimit. Ai shton se në vendet e tjera, ku konflikti politik ka qenë shumë herë më i ulët se në Shqipëri, ky proçes ka zgjatur 1 e gjysëm deri në dy vjet. “Do të jetë një test jo i lehtë për kryeministrin Berisha në profilin e tij, nëse anëtarësimin në NATO do të përdorë thjesht dhe vetëm për t’iu kundërvënë kërkesave të opozitë dhe të mos ndiejë impaktin negativ që mund të ketë në ngadalësim të reformave apo do të rishikojë gjithçka, që në detyrim të përshpejtimit të proçesit të integrimit të vendit në NATO të mund të lehtësojë mirëkuptimin e ambientit politik shqiptar, ku të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe jo vetëm PS-ja, e kanë kushtëzuar thellimin e reformave rritjen e bashkëpunimit për reformat me dorëheqjen e kryeministrit”- shprehet Malaj. Anëtari i kryesisë së PS-së nënvizon që nëse kryeministri vërtet do ta përshpejtojë procesin e plotësimit të reformave, do të duhet të dorëhiqet për sa kohë, politika shqiptare ka vullnet për reformat, por nuk i beson kredibilitetit të kryeministrit. Që pas tragjedisë së gërdecit, PS-ja dhe të gjitha partitë e tjera opozitare, kanë kërkuar pareshtur largimin e shefit të ekzekutivit. Ata e cilësojnë atë përgjegjësin kryesor për viktimat dhe pasojat materiale të shpërthimit, por vërejtjet nuk përfundojnë këtu. Sipas opozitës që pas ardhjes në pushtet të djathtët nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse kanë penguar reformat ose i kanë deformuar ato duke cënuar pavarësinë e institucioneve dhe demokracinë në vend. Pavarësisht artikulimit të kësaj kërkese, në kuvend, rrugë, apo media, përgjigjia e kryeministrit deri më sot, ka qenë “jo”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›