Ramushi i pafajshem

Gjykata e Hagës, të enjten në një seancë përmbyllëse, shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinajn dhe Idriz Balën, ndërsa me gjashtë vjet heqje lirie dënoi Lahi Brahimajn, nën akuzën për keqtrajtim. Ramush Haradinaj, siç tha kryetari i trupit gjykues, pasi t’i ketë kryer formalitetet në burg, do të lëshohet menjëherë për në shtëpi, ndërkaq Idriz Bala do t’iu dorëzohet autoriteteve kompetente në Kosovë. Kryetari i trupit gjykues ndërkaq, tha se periudha e paraburgimit prej 1109 ditësh do t’i llogaritet Brahimajt si pjesë e dënimit, edhe pse ai edhe për një periudhë deri në caktimin e një lokacioni tjetër, do të mbetet në burgun Sheveningen të Hagës. Lahi Brahimaj, komandant rajonal i UÇK-së në Dukagjin, u dënua për dy vepra penale, që kanë të bëjmë më trajtim mizor dhe torturë të dy qytetarëve gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Sipas aktakuzës që u ngarkua, Brahimaj i njohur në nofkën “Magjupi”, në një shtëpi të Jabllanicës kishte mbajtur gjashtë javë një kolaboracionist shqiptar, të cilin e kishte rrahur dhe torturuar. Po ashtu, Brahimaj u akuza se, si komandat rajonal në Jabllanicë, kishte urdhëruar dy ish-ushtarë të UÇK-së që të keqtrajtojnë dëshmitarin 60 të prokurorisë. Idriz Bala i njohur si “Togeri”, ishte dënuar nga një trup gjykues ndërkombëtar në Prishtinë, në vitin 2001, me 15 vjet heqje lirie. Ndryshe, tre luftëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin akuzuar nga Prokuroria Ndërkombëtare e Hagës, se gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 kanë shkelur ligjet e luftës, duke mbajtur, rrahur, shtrënguar dhe vrarë joshqiptarët dhe kolaboracionistët e pushtetit të dhunshëm të Milosheviçit. Vetë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat ndaj tyre, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin me nga 25 vjet burg për secilin. Ndryshe, procesi gjyqësor ndaj tre ish-guerilëve të UÇK-së zgjati afërisht tre vjet, ndërsa u dëgjuan rreth 80 dëshmitarë të prokurorisë dhe asnjë dëshmitar i mbrojtjes. Kjo e fundit duke e konsideruar të panevojshme dhe të paargumentuar aktakuzën, nuk e ftoi asnjë dëshmitar, me qëllim që të përshpejtohet procesi gjyqësor. Ndryshe, më 9 mars 2005, Ramush Haradinaj u dorëzua vullnetarisht për në Hagë, ndërkaq, pesë ditë më vonë, ai bashkë me dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balën u paraqitën para trupit gjykues dhe deklaruan se janë plotësisht të pafajshëm. Në një deklaratë, Ramush Haradinaj thotë se mezi po pret që të kthehet në familjen dhe tek qytetarët e tij. Deklaratën e lëshoi forca politike e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). “Ne ende kemi përpara sfida të vështira. Populli i Kosovës meriton të jetojë në një shoqëri të lirë, ku vlerat janë të mbrojtura dhe të garantuara, dhe ku shoqëria ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Ky është vizioni për të cilin do të përkushtohem gjatë tërë jetës sime”, -thotë Haradinaj. Ai më tej kujton, se kur dha dorëheqjen si kryeministër në mars të vitit 2005, për t’u ballafaquar me këtë aktakuzë, i ka thënë popullit të Kosovës se “ata mund t’i besojnë këtij procesi gjyqësor”. “Gjykata gjatë tërë procesit e ka shikuar me kujdes evidencën që prokuroria e ka sjellë përpara gjatë periudhës nëntëmujore dhe ka konstatuar se akuzat e bëra ndaj meje dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë false. Ky vendim e fuqizon Kosovën. Ne jemi ballafaquar me situata të vështira në rrugëtimin tonë për liri, i cili ka marrë shumë jetë. Sot ne jemi komb i lirë dhe sovran. Tani mund të ndërtojmë një shoqëri dinamike dhe të bashkuar, e cila bazohet në sundim të ligjit dhe në respektim të të drejtave themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës”, -deklaroi Haradinaj.