E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë vë alarmin

Banka e Shqipërisë nuk do të lejojë më që kreditë konsumatore apo dhe ato me hipoteka të jepen në valutë të huaj. Dhënia e kredisë në valutë po rrit gjithnjë e më shumë nivelin e kredive me probleme. Shkaku i kësaj është rritja e luhatshmërisë së kursit të këmbimit dhe ndryshimit të shpeshtë të normave të interesit. Po ashtu, ky rrezik vjen si rezultat i dhënies së kredive në valutë qytetarëve, të cilët pagat i tërheqin në monedhën vendase. Për të shmangur këtë situatë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u ka kërkuar bankave të nivelit të dytë të shpërndajnë kreditë me të njëjtën monedhë që tërhiqet paga. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një paketë ndryshimesh rregullative, e cila ndërthur masa administrative me ato të kujdesit dhe të inspektimit mbikëqyrës. Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, në rastet kur klienti nuk është i mbrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, do të përfshijnë këto detyrime për bankat, duke nisur nga krijimi i fondeve rezervë për humbjet nga kredia dhe rritjen e kapitalit kur shkelet një kufi i caktuar ndaj ekspozimit në monedhë të huaj. “Kreditimi në valutë tashmë është një realitet i prekshëm. Arrihet deri aty, sa kredia konsumatore të jepet në valutë. Të financosh konsumin e individëve në valutë, është njësoj sikur të shesësh produkte ushqimore pa afat skadence”, është shprehur Fullani, duke shprehur kundërshtinë e Bankës së Shqipërisë mbi këtë fenomen. Po ashtu, guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar që nga bankat e nivelit të dytë të mos nënvlerësohet rreziku i kursit të këmbimit. “Pavarësisht një perceptimi të publikut të thjeshtë për një çmim më të lirë të kredisë në valutë, mendoj se është e rrezikshme që e njëjta filozofi të gjejë vend edhe tek ju. Për më tepër kur filozofi mbizotëruese bëhet ajo për zënien e tregut. Ne gjykojmë se, aktualisht, ju po shpërndani rrezikun tek individët, duke krijuar edhe probleme të natyrës moral hazard”, nënvizon Fullani. Viti 2007 ishte i mbarë edhe për sistemin bankar. Rezultati neto i sistemit bankar për vitin 2007 raportohet rreth 42 për qind më shumë se ai i vitit 2006. Aktivet e sistemit bankar shënuan rritje me 118.6 miliardë lekë, ose 19 për qind më e lartë se gjendja e tyre në fund të vitit 2006. Teprica e kredisë së sistemit bankar gjatë vitit 2007 shënoi rritje me 94.5 miliardë lekë, ose 47.7 për qind më e lartë se teprica e fundvitit 2006. Bankat kanë rritur produktet elektronike në shërbim të klientëve të tyre. Tashmë, në sistemin bankar shqiptar 11 banka përdorin transaksionet në rrugë elektronike. Vlen të theksohet zgjerimi i shërbimit të internet-banking edhe në tri banka të tjera të sistemit. Dëshmi tjetër e rritjes së konkurrencës bankare, si dhe e rritjes së vëllimit të transaksioneve financiare nëpërmjet bankave, është zgjerimi i rrjetit bankar me degë dhe agjenci të reja. Gjatë vitit 2007, numri i degëve dhe agjencive brenda territorit të Republikës së Shqipërisë u rrit me 103, nga të cilat 43 janë hapur të reja në rrethin e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›