Ndryshimet te ligji “Për rininë”, Muzhaqi: Forcojmë mekanizmat për pjesëmarrjen e të rinjve në politikëbërje

TIRANË, 18 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi prezantoi sot para komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit, disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për rininë”.
Fillimisht ministrja u ndal tek arritjet e ligjit “Për rininë”, i cili po zbatohet prej 5 vitesh, ndërsa theksoi se ndryshimet dhe shtesat në ligj vijnë si rezultat i një procesi shumë të gjatë konsultimesh.
Muzhaqi solli në vëmendje se përmes ligjit aktual janë krijuar mekanizmat e duhur për përfaqësimin dhe fuqizimin e të rinjve, siç janë Këshilli Kombëtar Rinor si dhe Këshillat Vendorë Rinorë, që funksionojnë pranë 61 bashkive në vend.
“Me këto këshilla rinorë ne konsultohemi dhe bashkëbisedojmë për sa i përket hartimit të politikave rinore”, tha Muzhaqi.
Po ashtu ministrja veçoi rolin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, e krijuar në shtator 2020, e cila vetëm në kuadër të infrastrukturës rinore ka finalizuar gjatë këtyre viteve mbështetje për 15 hapësira rinore, biblioteka dhe qendra rinore në 15 bashki të ndryshme të vendit, duke krijuar hapësira për 234 mijë të rinj. Sipas ministres, këtë vit janë në proces për t’u mbështetur edhe 6 hapësira të tjera rinore.
Ministrja u ndal tek edukimi dhe punësimi i të rinjve, ku solli në vëmendje Programin Kombëtar të Praktikave të Punës.
Sipas Muzhaqit, në katër vite ky program ka mbështetur 1 682 të rinj që kanë zhvilluar praktikën e tyre tremujore pranë institucioneve të administratës publike.
Një tjetër program në mbështetej të të rinjve, sipas ministres, është edhe ai i Kodimit, i cili ofron për të gjithë të rinjtë nga mosha 16 vjeç e lart bursa të cilat paguhen 50%-100% nga qeveria shqiptare, në varësisë të kategorive të të rinjve që aplikojnë.
Muzhaqi theksoi se në dy vite janë 2127 përfitues nga ky program që ndihmon të rinjtë të rrisin aftësitë në fushën digjitale.
Po ashtu, ministrja theksoi se edhe Programi i Arteve dhe Zejeve, i zbatuar në dy vitet e fundit, është zgjeruar në 200 shkolla dhe prej tij kanë përfituar 10 mijë nxënës.
Ndërsa nga Programi i Ekipeve Sportive në Shkolla, Muzhaqi theksoi se kanë përfituar falas 291 shkolla, me 12 mijë të rinj.
Muzhaqi theksoi po ashtu se “në katër vite janë financuar 84 projekte të shoqërisë civile me vlerë financimi prej 214 milionë lekësh, projekte që kanë mbështetur 43 600 të rinj”.
Duke u ndalur te Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029, Muzhaqi theksoi se ajo financohet me një buxhet prej pesë miliardë lekësh dhe është dokumenti bazë që orienton politikat e ministrisë.
Por, pavarësisht arritjeve në zbatimin e ligjit “Për rininë”, ministrja Muzhaqi theksoi se nevojitet rishikimi i ligjit dhe ky është një proces që ka nisur që në vitin 2022 dhe ka vijuar gjatë gjithë këtyre viteve.
“Nga të gjitha konsultimet dhe rishikimi i ligjit pikat që kishin nevojë për të ndryshuar dhe përmirësuar më tej janë në gjashtë aspekte: Forcimi i mekanizmave ligjorë që garantojnë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset politikëbërësve dhe vendimmarrëse në nivel vendor e qendror; forcimi i mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen e të rinjve shqiptarë; parashikimi i mekanizmave ligjorë për zbatimin e politikave të reja dhe mbështetjen dhe aktivizimin e të rinjve, si dhe forcimi i mekanizmave ligjorë për vendosjen e standardeve dhe rritjen e cilësisë në shërbimet rinore”, tha Muzhaqi.
Po ashtu, sipas ministres nevojitet edhe rregullimi i disa parashikimeve ligjore si dhe harmonizimi me një numër rezolutash të BE-së.
Ndërsa renditi disa ndryshime në unifikimin e procedurave të përzgjedhjes së të rinjve në Këshillat Rinorë, ministrja theksoi se një aspekt shumë i rëndësishëm për të cilin do të ndërhyhet në ligj është edhe bashkëkryesimi me të rinjtë i këtyre këshillave.
“Bashkë me ministrin apo me kryetarët e bashkive, këshillat do të bashkëkryesohen me të rinjtë. Ky është një propozim i ardhur nga vetë ata dhe i pranuar si ndryshim në ligj”, tha Muzhaqi.
Po ashtu, një element tjetër me rëndësi, sipas ministres, është edhe gjithëpërfshirja në këto këshilla e të rinjve me aftësi të veçanta apo të rinjve nga diaspora.
Duke u ndalur te Programi i Praktikave të Punës, Muzhaqi theksoi se me ndryshimet në ligj futet mbështetja financiare për kompensimin ushqimor dhe transportin për të rinjtë që kryejnë praktika pune.
Një tjetër ndryshim në ligj, sipas ministres, është edhe financimi i të rinjve që fitojnë olimpiada dhe duhet të përfaqësojnë Shqipërinë jashtë vendit, kosto që deri tani përballohej nga vetë prindërit e tyre.
/r.e/a.f/