Zhupa: Ndryshimet në ligjin “Për rininë” nuk i shërbejnë rinisë

TIRANË, 18 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa i konsideroi sot si “ndryshime me qëllime elektorale”, ndryshimet në ligjin “Për rininë”, ndërsa paralajmëroi se opozita nuk do ta lejojë miratimin e tij gjatë kësaj periudhe zgjedhore.
Gjatë prezantimit të projektligjit në komision nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, Zhupa u shpreh se projektligji ka efekte preferenciale dhe financiare dhe nuk mund të kalohet në kohë fushate elektorale.
“Nuk e di nëse Kuvendi i është drejtuar KQZ-së për këtë ligj. Nëse nuk i është drejtuar do t’i drejtohemi ne KQZ-së, se ky është një ligj që ka efekte preferenciale dhe financiare për të gjetur ca të rinj, për t’i dhënë ca të rinjve disa fonde e ca të tjerëve jo”, tha Zhupa.
Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, Zhupa theksoi se ligji nuk duhet të kalojë në këtë periudhë zgjedhore.
“Ne nuk mundet që këtë projektligj ta finalizojmë në periudhë zgjedhore, që ju ta përdorni atë si kartë elektorale. Aq më tepër që fillon procesi i përzgjedhjes dhe do t’i përdorni të rinjtë në FRESSH”, tha Zhupa.
Ajo siguroi se do të ndiqet çdo hallkë për të penguar, të paktën në periudhën elektorale, miratimin e këtij ligji.
Zhupa ftoi ministren Muzhaqi që gjatë kësaj kohe të përgatitet një draft për rregullimin e problematikave të ligjit, në mënyrë që opozita të bashkojë votat dhe të kalohet një ligj i përbashkët për rininë.
“Por kështu si e keni sjellë ju, ky ligj nuk do të ketë miratimin tonë, se nuk i shërben rinisë por i shërben PS-së për fushatë”, shtoi Zhupa.
/r.e/a.f/