Ndryshimi i rregullores së Kuvendit, Këshilli i mandateve kalon në seancë ndryshimet
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit do të kalojnë ditën e enjtë në seancë plenare. Mazhoranca e djathtë pritet që të miratojë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të cilat parashikojnë votim të hapur për dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Edhe në këtë mbledhje palët nuk kanë rënë dakord dhe pritet që në seancë të vijojnë diskutimet me argumentat pro dhe kundër. Nga njëra anë opozita shprehet kundër votimit të hapur në Kuvend pasi në këtë mënyrë deputetët nuk janë të lirë të shprehin vullnetin e tyre. Nga ana tjetër mazhoranca pretendon se duke votuar në mënyrë të hapur rritet trasparenca e institucionit të parlamentit. Përveç votimit në mënyrë të hapur, mazhoranca propozon edhe zgjatjen e raportimit në Kuvend të anëtarëve për në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kalimi i ndryshimeve të rregullores në seancën e ditës së enjte, i hap rrugë miratimit me votim të hapur të tre dekreteve të presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë, pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka vendosur që të marrë në pyetje të tre këta anëtarë në fillim të javës së ardhshme dhe ditën e enjtë të kalojnë në seancë plenare. Diskutimi për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të Shqiperisë nisën pas kritikave që u bënë nga ambasadori amerikan në Tiranë, John ëithers pas rrëzimit të Vangjel Kostës si kandidat për në Gjykatën Kushteteuse. Por jo vetëm kaq duke parë edhe numrin e votave në Kuvend, ku 66 votuan për rrëzimin e tij dhe vetëm 4 për emërimin e tij, e çoi mazhorancën në vendimin se me votim të hapur do të ishte më e lehtë të mos kishte rrejdhje votash.