Ndryshimi i valutave godet ekonominë
Lëvizja e shpeshtë e kursit të këmbimit, por mbi të gjitha rënia e valutës amerikane, dollar, ka ndikuar në vlerësimin e mjeteve monetare të Bankës së Shqipërisë, Kështu, gjatë vitit 2007, humbja nga rivlerësimi i monedhave të huaja dhe arit nga luhatja e kursit të këmbimit është në një vlerë prej 8,035,000,000 lekë (afro 90 milionë dollarë). Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2006, humbja neto arrinte në rreth 3,3 milionë lekë. Por luhatja e kursit të këmbimit nuk ka pasur të njëjtin efekt negativ për letrat me vlerë. Banka raporton se për vitin që shkoi, rivlerësimi i letrave me vlerë me vlerën e tregut, gjatë 2007-s ka sjellë luhatje pozitive prej 1,2 miliardë lekësh. Përveç Bankës së Shqipërisë, nga ndryshimet e kursit të këmbimit, e ka pësuar rëndë dhe Ministria e Financave. Kështu, gjatë vitit 2007, ministria ka riemetuar letra me vlerë të qeverisë me një total prej rreth 15 miliardë lekësh për mbulimin e humbjeve neto nga rivlerësimi i monedhave, krijuar deri në fund të vitit 2006. Mësohet se kjo shifër përfaqëson mbulimin e humbjeve për periudhën 2003 deri në 2006.