E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, kundër Bankës së Shqipërisë për normat e interesit

Bizneset shqiptare pozicionohen kundër politikave që përdor Banka e Shqipërisë në raport me rritjen e çmimeve dhe inflacionit. Duke u nisur nga kriza ekonomike që po shoqëron vendin nga thellimi i deficitit tregtar dhe rritja e çmimeve, bizneset industriale më të mëdha në vend nuk e shikojnë të arsyeshme alternativën e zgjedhur nga Banka e Shqipërisë, duke rritur normat e interesit bazë për lekun. Thellimi i deficitit tregtar me mbi 27 për qind dhe rritja e inflacionit me 4.6 për qind, duke dalë ndjeshëm nga kufiri i lejuar prej 3 përqindësh, tregojnë qartë se ekonomia shqiptare është përfshirë drejtpërdrejt në krizën që ka përfshirë tregjet kryesore ndërkombëtare. "Konfindustria", duke analizuar shkaqet bazë të tejkalimit të përsëritur të inflacionit, si dhe thellimin e deficitit tregtar, pavarësisht rivlerësimit të ndjeshëm pozitiv të çmimeve ndërkombëtare të disa prodhimeve bazë të eksporteve shqiptare, mendon, se duhet të tregohet mjaft kujdes në ndërmarrjen e politikave me natyrë monetare. "Ne vlerësojmë, se në kushtet e mësipërme, nuk mund dhe nuk duhet përqendruar vëmendja e frenimit të inflacionit me politika monetare dhe as të shikohet si kryesor roli i Bankës së Shqipërisë. Çdo përpjekje për rritjen e mëtejshme të normës bazë të interesit, në kushtet kur kemi të bëjmë me faktorë objektivë të krijimit të inflacionit, që bazohen tek oferta, mund të sjellë në periudhë afatmesme në përfundime të padëshirueshme në stabilitetin makroekonomik, në shtrembërime sektoriale të tregut kombëtar dhe në ngadalësim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit", u shpreh i shqetësuar Gjegj Buxhuku, administratori i "Konfindustrias". Për këto biznese, zgjidhja më e mirë për të përballuar krizën e rritjes së çmimeve nuk do të ishin politikat monetare të Bankës Qendrore, por politikat ekonomike dhe institucionale, që kanë të bëjnë me thelbin e ndërtimit të sistemit të sotëm ekonomik të vendit. Njëra nga këto politika do të ishte përmirësimi i legjislacionit fiskal, tepër i domosdoshëm jo vetëm për të mos shtuar peshën e krizës që po kalon ekonomia kombëtare dhe po ndjejnë qytetarët shqiptarë, por në të njëjtën kohë është edhe kusht parësor për nxitjen e investimeve prodhuese të vendit dhe të huaja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›