E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi, dyshime mbi normën e fitimit

Banka e Shqipërisë ngre dyshime në lidhje me normën e fitimit në sektorin e ndërtimit, duke aluduar se të ardhurat nga ky biznes janë më të larta nga sa pretendojnë vetë subjektet. Duke evidentuar faktin se çmimet e apartamenteve për qytetin e Tiranës kanë pësuar një rritje prej 16,7 përqindësh në tremujorin e fundit, Banka e Shqipërisë në Raportin Vjetor 2007, vlerëson se kjo rritje nuk përkon realisht me koston e prodhimit. Për vitin që lamë pas, çmimet e banesave kanë vijuar të rriten, megjithëse ritmi i rritjes ka rënë krahasuar me një tremujor më parë. Kështu në tremujorin e katërt të vitit, çmimet e banesave për qytetin e Tiranës, të matura nga indeksi i çmimeve të banesave, në terma vjetorë janë rritur me 16.7 për qind, kundrejt rritjes me 24.8 për qind një tremujor më parë. Sipas bankës, rritja e çmimeve të banesave vlerësohet të ketë ardhur si pasojë e presioneve që janë krijuar në treg, për shkak të zvogëlimit të kapaciteteve të lira, si rrjedhojë e mungesës së lejeve të ndërtimit nga KRRT-të e rretheve. Nga statistikat që disponon INSTAT-it, si vëllimi i ndërtimeve në përgjithësi, ashtu edhe vëllimi i ndërtimeve në veçanti, kanë regjistruar ritme negative rritjeje gjatë tremujorit të tretë, për të dytin tremujor radhazi, gjithnjë për 2007-n. Ngadalësimi në rritjen e vëllimit të ndërtimeve konfirmohet edhe nga ulja e vazhdueshme e konsumit të dukshëm të çimentos dhe nga rënia e indeksit të punësimit. Për të njëjtën periudhë edhe kostot e lidhura me ndërtimin, që maten nga indeksi i kushtimit në ndërtim, kanë vazhduar të rriten mesatarisht me 2,7 për qind. "Megjithatë, ritmi i rritjes së kostove të prodhimit është disa herë më i ulët sesa ritmi i rritjes së çmimeve", thekson Banka e Shqipërisë në raportin e saj vjetor, i cili do të diskutohet këtë javë në komisionet parlamentare.

Shifrat

Rritja vjetore e shitjeve në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2007 ka qenë pothuajse e pakonsiderueshme, duke qenë disa herë më e ulët sesa mesatarja e tre viteve të mëparshme, 5 nga rreth 20 për qind. Kështu, vëllimi i ndërtimeve në tremujorin e tretë 2007, pësoi rënie me 15,8 për qind, duke ndikuar te treguesit e punësimit, i cili ka pësuar rënie me 4 për qind. Edhe pse vëllimi i punës ka rënë ndjeshëm, pagat në sektorin e ndërtimit janë rritur me rreth 15 për qind.

Punimet

Nëse për vitet 2004 dhe 2005, vëllimi i ndërtimeve të reja rritej mesatarisht me 21 dhe 12 për qind, në vitin 2007, ky sektor e pa veten në një rënie prej 11,7 përqindësh. Edhe punimet rikonstruksion kanë pësuar rënie të ndjeshme me 9 për qind, nga vëllimet e larta që shoqëronin sektorin në vitet 2004-2005 (38 dhe 35 për qind)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›