Ndryshon ushqimi, meny e re për çerdhet e kryeqytetit
e hartuar në përputhje me moshën e tyre dhe domosdoshmërinë e kalorazhit që duhet të konsumojnë fëmijët sipas grupmoshave specifike. Kështu, përgjatë gjashtë ditëve të javës është llogaritur një dietë e re, ku gjithsej fëmijët do të ushqehen katër herë në ditë: mëngjes, zemra paradite, dreka dhe zemra e pasdites. Përveç larmisë së artikujve, çdo ushqim fëmijës do ti serviret në bazë të gramaturës së përllogaritur nga mjeku pediatër si e nevojshme për plotësimin e nevojave të mirërritjes së fëmijës. Ndryshimet e reja bëhen të ditura nga specialistët e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, institucion ky në varësi të Bashkisë së Tiranës. Kjo qendër me një staf prej 503 punonjësish ofron shërbim për rreth 1800 fëmijë në 29 çerdhe publike të kryeqytetit dhe rreth 4000 fëmijë në 40 kopshte të Tiranës. Krahas punës për ndërtimin e katër çerdheve të reja si dhe për riparimin e tri ekzistueseve gjatë vitit 2009 Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve i ka kushtuar një vëmendje të veçantë përmirësimit të cilësisë së ushqimit në çerdhet e kryeqytetit. Kjo, e parë në drejtim të rritjes së sigurisë së shëndetit të fëmijëve dhe mirërritjes së tyre. Puna e bërë ka marrë vlerësime mjaft pozitive nga vetë prindërit e fëmijëve që frekuentojnë çerdhet publike. Kështu, nga një sondazh i kryer në fund të vitit 2009 në çerdhet e kryeqytetit, rezultoi se 96% e prindërve ishin të kënaqur me cilësinë e ushqimit të fëmijëve të tyre.